Ç’duhet të dini para se të shihni ‘Spencer’ - për të kuptuar më shumë rreth asaj që po kalonte Diana

Filma

Ç’duhet të dini para se të shihni ‘Spencer’ - për të kuptuar më shumë rreth asaj që po kalonte Diana

Më: 25 nëntor 2021 Në ora: 19:12
Kristen Stewart

Kristen Stewart u rikthye në kinema me “Spencer”, një psikodramë që portretizon Princeshën Diana për tre ditë stresuese të jetës së saj. Filmi vjen nga skenaristi i nominuar për Oscar, Steven Knight dhe regjisori kilian Pablo Larraín.

Spencer jep një ide se çfarë ndodh në mendjen e një prej grave më të famshme të shekullit të 20-të. Vanity Fair jep një përmbledhje se çfarë duhet të dini para se të shihni Spencer (nëse ende nuk e keni parë).

Hyrja

Filmi vendoset në vitin 1991, kur Diana ndodhet në Sandringham Estate të Mbretëreshës Elizabeth në Norfolk, Angli. Periudha 72-orëshe - që përfshin periudhën e Krishtlindjeve - është një kohë festash, ndryshime formale të veshjeve dhe tradita të çuditshme të mbajtura që nga ditët e Mbretëreshës Viktoria.

"Ajo që nuk doja të bëja ishte një biografi," tha skenaristi Steven Knight për skenarin e tij për Vanity Fair. “Doja të bëja një fotografi, si një foto paparacësh të saj, siç bënë shumë njerëz – dhe shpresoj që brenda një fundjave të veçantë presioni, stresi dhe gëzimi, të ishte e mundur të zbuloja se kush ishte njeriu pas ikonës.”

Në çfarë bazohet Spencer?

Përpara se të fillonte të shkruante, Knight gjurmoi ish-anëtarët e stafit të Sandringham që kishin dëshmuar vizitat e Dianës për pushime në pallat. Ai u mbështet në rrëfime të dorës së parë, në vend të biografive mbretërore apo materialeve të tjera burimore për familjen mbretërore.

Duke folur për Vanity Fair, Knight thotë:

“Gjithçka në film që duket e pabesueshme është e vërtetë.… Unë fola me njerëz që shërbyen dhe vëzhguan. Dhe solla ngjarje të vërteta, gjëra që ndodhën, të cilat mund të përdoren për të krijuar dramën.”

Knight nuk zbulon se me kë foli në mënyrë specifike, por ai kuptoi se anëtarët e stafit me të vërtetë e donin Dianën. Ata vërtet donin që ajo të ishte mirë. Pra, kishte një lloj ngrohtësie dhe një lloj humanizmi në një mjedis ku ajo ishte e rrethuar nga tradita dhe gjëra që nuk kanë ndryshuar dhe nuk do të ndryshojnë kurrë.

"Unë e mendoj atë si një luftëtare të pambrojtur," shton Knight. “Me fjalë të tjera, ajo shkon në betejë, por nuk ka armë. Ajo nuk ka asgjë për të mbrojtur veten. Dhe unë mendoj se kushdo do të dëshironte ta ndihmonte dhe do të dëshironte ta mbronte atë person, sepse ajo ishte shumë e pambrojtur dhe ajo po vinte në këtë mjedis nga bota reale. Kuptohet, ajo ishte e pasur dhe familja e saj, në fakt, ishte shumë aristokrate, por ajo bënte një jetë relativisht normale. Pastaj papritmas ajo është në këtë botë ku nuk ka kompromise.”

Gjendja e martesës së Dianës dhe Princit Charles deri në atë pikë

Aspak mirë. Filmi fillon një dekadë pas dasmës përrallore të Dianës dhe Charles, pasi çifti mirëpriti dy djem, William dhe Harry (të cilët janë 9 dhe 7 vjeç në "Spencer"). Diana dhe Charles kanë pasur marrëdhënie romantike jashtë martesës (ajo me ish-instruktorin e kalërimit James Hewitt; ai me ish të dashurën dhe gruan e ardhshme, Camilla Parker Bowles).

Për referencë në atë kohë, Diana ishte aq e pakënaqur me martesën e saj, sa në vitin 1991, ajo dha intervista sekrete për një libër bombë, “Andrew Morton’s Diana: Her True Story”. Libri, i cili detajon luftën e Dianës me buliminë, përpjekjet për vetëvrasje dhe një martesë të palumtur, do të botohej vitin e ardhshëm dhe do të vuloste ndarjen e saj nga familja mbretërore.

Sandringham është shtëpia e mbretëreshës në Norfolk, e cila ka qenë prej kohësh një rezidencë mbretërore e preferuar për pushime. Elizabeth ende e përdor atë si shtëpinë e pushimit të familjes së saj. Megjithatë, Diana e urrente Sandringhamin – ritualet e tij të modës së vjetër, atmosferën e mbytur dhe të çuditshme.

Ritualet dhe formalitetet e çuditshme të Sandringham

Windsors nuk janë thjesht tradicionalë. Siç e bën të qartë dokumentari “Sandringham: The Queen at Christmas”, ata janë gjithashtu një familje ushtarake - që do të thotë se festa 72-orëshe është planifikuar me saktësi ushtarake dhe vëmendje të rreptë ndaj protokollit mbretëror.

Sipas një tradite që daton nga Mbretëresha Viktoria, mysafirëve u kërkohet ende të peshojnë veten në peshore antike pas mbërritjes dhe para se të largohen - arsyeja është se në këtë mënyrë tregohej se ata ishin kënaqur vetëm nëse shtonin tre kilogramë.

Në vitin 1991, Knight thotë se bulimia e Dianës njihej brenda mureve të pallatit, por nuk diskutohej kurrë.

Sipas traditës gjermane, dhuratat shkëmbehen në prag të Krishtlindjeve dhe jo ditën e Kristlindjeve - një rit i vështirë për të sapoardhurit në Sandringham. Ka darka zyrtare si në prag të Krishtlindjeve ashtu edhe në Krishtlindje, me plane të hartuara nga vetë mbretëresha. Rregullat e mirësjelljes së tryezës janë të rëndësishme. Kur mbretëresha lë pirunin dhe thikën e saj, të gjithë të ftuarit duhet të lënë gjithashtu serviset e tyre.

Në Krishtlindje, duhet të bëhet një foto vjetore dhe shëtitje në kishë. Stilistja e mbretëreshës, Angela Kelly, ka zbuluar se ajo i ndryshon veshjet deri në 7 herë në ditë gjatë periudhës së festave - dhe vendos për atë që të ftuarit e tjerë duhet të veshin për çdo kohë të ditës.

Ish-shërbëtori mbretëror Paul Burrell ka folur për ndryshimet rraskapitëse të garderobës:

“Ti ngrihesh me një gjë, pastaj duhet të ndërrohesh për në kishë… Mund të ndërrohesh për drekë. Më pas mund të ndryshosh veshjen për të bërë një shëtitje pasdite. Dhe pastaj do të ndërrohesh sërish për darkë.”

"Mund të jetë mjaft rraskapitëse. Ishte një nga ritualet e pandërprera që si Princesha Diana ashtu edhe Dukesha e Jorkut e patën mjaft të vështirë të përshtateshin," -shtoi eksperti mbretëror Richard Kay, duke folur në "A Very Royal Christmas: Sandringham Secret" të Channel 4.

“Imagjinoni Dianën në rrethanat e saj dhe faktin që gjithçka bazohet në ushqimin dhe në atë që vishni dhe si dukeni,” thotë Knight. “Pra, gjithçka ka të bëjë me atë që është në pasqyrë, jo me atë që është në të vërtetë atje. Kam përdorur shumë pasqyra në skenar, sepse ka të bëjë me reflektimin dhe ajo nuk është reflektimi. Ajo është vetvetja.”

Cilët anëtarë të familjes mbretërore shfaqen në film?

Jo shumë. Ndryshe nga The Crown, ku shfaqen shumë personazhe në histori paralele, Spencer tregohet rreptësisht nga këndvështrimi i Dianës. Dhe ajo ishte tepër e vetmuar në Sandringham - që do të thotë se nuk ka shumë mbretërorë të njohur. Princi William (Jack Nielen) dhe Harry (Freddie Spry) shfaqen në disa skena, si dhe Princi Charles (Jack Farthing) dhe, në një kohë të shkurtër, Mbretëresha Elizabeth (Stella Gonet). Po ashtu, ka edhe një paraqitje të shkurtër të Camilla-s (Emma Darwall-Smith).

A përfundon historia në mënyrë të zymtë?

Një spoiler i lehtë: Filmi i jep Dianës një fund më të lumtur sesa kishte në jetën reale. Sa i përket fundit, Knight shprehet: "Filmi ka një fund të lumtur dhe unë me të vërtetë doja që kjo të ndodhte, sepse mendoj se ajo meritonte një fund të lumtur atje."

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat