Në Gjilan nis Festivali i Filmit të shkurtër “Film Flaka”

Filma

Në Gjilan nis Festivali i Filmit të shkurtër “Film Flaka”

Më: 15 janar 2017 Në ora: 11:14
Film Flaka

Ka nisur mbrëmë në Gjilan Festivali i Filmit të shkurtër “Film Flaka”, i cili do të mbahet gjatë dy mbrëmjeve, është një aktivitet përcjellës i manifestimit shumëkulturor “Flaka e Janarit 2017”, i organizuar nën përkujdesjen e kryetarit Lutfi Haziri. Ky edicion i këtij festivali është i dyti, kurse nëpërmjet tij mëtohet që të mblidhen aktorë nga të gjitha trojet shqiptare. 
Burim Baftiu, organizator, ka thënë se ishte kryetari Lutfi Haziri ai që i dha mbështetje filmit, derisa edhe Bashkim Nexhipi edhe vetë artist edhe njëherë dëshmoi përkushtimin që kjo ngjarje të mbahet edhe sivjet.
Në Festivalin e Filmit të Shkurtër pati edhe mysafirë nga Kumanova e Tetova, kurse në natën e parë u dhanë këta filma: “Toka”, “Biseda”, “Lost in hope “, “Sekretet”, “Besa e Konstandinit”  dhe “The eaters”.
 
Filmi i metrazhit të shkurtër “Toka” me regji të Ibrahim Dearit, ku luajnë Dem Karaga, Afrim Muçaj, Amernis Nokshiqi, Sefedin Nuredini, Vebi Qerimi, Sefedin Shabani, Muzbajdin Qamili, Anida Islami, Aron Arifi etj., paraqet konflikt mentalitetesh ndërmjet dy vëllezërve, njeri i cili jeton në fshat dhe tjetri, i cili kthehet nga jashtë për t`ia shitur tokën e babait, që e kishte lënë amanet që të mos shitet. Për vëllanë e madh, toka është vlera më e madhe që ia ka lënë babai para se të vdes, kurse për vëllanë e vogël, i cili pas tetë vjetësh kthehet në shtëpi, toka është vetëm një pjesë tjetër e tokave e cila nuk ka vlerë. Filmi ka një përfundim tragjik, por me mesazh të qartë që për shqiptarët toka është e shenjtë.
 
“Biseda” ishte filmi i radhës që vinte nga Shqipëria, me regjisor Gledis Bica, ku fytyrë kyçe është një pensionist (Lutfi Hoxha), i cili të birin dhe nipin i ka në mërgim dhe e vetmja mënyrë e komunikimit është biseda me ta, shpesh edhe duke i ndjerë se i ka në shtëpi. 
 
“Lost in hope” është një film për mbijetesën në kohë lufte, ku protagonist kryesor është një fëmijë i vogël, i cili duhet të mbijetojë në kohë lufte dhe i mbetur pa prindër takimi me një qen i mbetet e vetmja shpresë se nuk është i vetëm. Ky film i përket regjisores së re Jehona Berisha, kurse në film u paraqit gjashtëvjeçare Arti Lokaj. 
 
“Sekretet” ishte filmi i radhës që është shfaqur. I punuar nga regjisori Esat Fejza, filmi paraqet  historinë e zvetënimit, abuzimit, izolimit dhe skutave më të errëta të shpirtit. “Sekretet” flet për ato realitete që nuk duam t’i shohim. Në film luajtën Fatlume Bunjaku, Faris Berisha, Veton Osmani, Basri Shala, Flutra Zymi.
 
“Besa e Konstandinit” i  Bashkim Myftarit, ishte film i radhës, me temë tashmë të njohur nga e kaluara e jonë,  në mbrëmjen e parë u dha edhe filmi me titull “The eaters” i regjisorit Besim Ugzmaili është një film pa dialog, derisa ngjarja ndodh në mes një të rrituri dhe një fëmije, kurse ajo u përmbyll me filmin e metrazhit të shkurtër Admire Rhythm Track.
 
Ky film është krijuar nga studentët e vitit të parë të Departamentit Gjuhë Angleze në Kolegjin “Universum”. Filmi ka të bëjë me ndikimin e artit në jetët e personazheve.

Image
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat