Nga pakujdesia e mjekëve helmohen dy fëmijë

Financa

Nga pakujdesia e mjekëve helmohen dy fëmijë

Më: 30 mars 2009 Në ora: 16:12

Dy fëmijë nga Magura e Lipjanit janë helmuar nga barërat dhe shiringat që i kanë gjetur në një përroskë afër ambulancës së fshatit dhe një ordinance private. Fëmijët e helmuar i kanë konsumuar hapat që kanë gjatuar aty, si dhe kanë lozur me shiringa. Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Arbër Beka, tha se policia është e informuar se dy fëmijë të fshatit Magure të Lipjanit janë helmuar. “Pasi rrethanat se si janë helmuar fëmijë ishin të dyshimta për policinë, këta kanë shkuar në vendin e ngjarjes dhe pas intervistimit të fëmijëve, në praninë e prindërve, policia ka kuptuar se fëmijët kanë pirë hapa, si dhe kanë luajtur me shiringa që janë gjuajtur në një përroskë, ku afër saj gjendet shtëpia e shëndetit e këtij fshati, si dhe një ordinancë private”, kanë thënë Beka. Ai njoftoi se policia në vendin e ngjarjes ka gjetur një sasi të konsiderueshme të shiringave dhe disa barëra. Hetuesit e policisë rajonale të Prishtinës janë duke hetuar rastin, pasi që ende nuk dihet se kush i ka hedhur ata shiringa aty, mjekët e ambulancës, apo doktori që ka ordinancën private. Policia ka njoftuar se në vendin e ngjarjes ka qenë edhe Inspektorati i Ministrisë së Shëndetësisë, ndërsa Qendra Klinike Universitare e Kosovës ka njoftuar se fëmijët janë jashtë rrezikut për jetë. Policisë së Kosovës kanë njoftuar se pas hetimeve dhe gjetjes së fajtorit të hedhjes së shiringave dhe barërave, pritet të ketë edhe të arrestuar. Ndryshe, hedhja e materialeve shpenzuese dhe barërave në vende ku mund të bien në kontakt me njerëzit është e ndaluar, dhe ndaj personave të pandërgjegjshëm ligji parasheh masa ndëshkuese.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat