Ferrari fluturon në provat e lira

Formula 1

Ferrari fluturon në provat e lira

Më: 31 gusht 2019 Në ora: 12:47
Ferrari fluturon në provat e lira

Sharl Lëklerk ishte piloti më i shpejtë pas përfundimit të ditës së parë të provave të lira, të vlefshme për Çmimin e Madh të Belgjikës. 21- vjeçari i Ferrarit regjistroi dje kohën 1’44″123 me gomat “soft” në pistën Spa. Ai la pas vetes “kokëkuqen” tjetër të Sebastian Fetel, me gjermanin që ishte +0″630 më i ngadaltë dhe makinën Mercedes të Valteri Botas + 0″846.

Ndërsa Luis Hamilton u rendit në vendin e katërt me një diferencë kohore +0″892. Në vendin e pestë kemi një rezultat surprizë, pasi renditet Perez i Racing Point. Ndërkohë, në ditën e parë të provave të lira Red Bull nuk mundi të shkojë më shumë se vendi i gjashtë dhe i dhjetë, me Vershtapen dhe Albon. Në 10-të më të shpejtët u klasifikua edhe Kimi Raikonen, i cili ndonëse me një dëmtim muskulor i mbylli provat e lira në vendin e shtatë +1″585, duke lënë pas makinën Racing Point të Stroll dhe atë Renault të Riçardos.

Kështu Ferrari tregon dhëmbët duke dominuar në të dyja sesionet e provave në Spa. Lëklerk u shfaq në një formë të shkëlqyer duke bërë diferencën, sidomos në sektorin e parë të pistës. Ndërsa Fetel në xhiron e tij më të mirë pagoi një gabim të vogël të bërë në fund.

Megjithatë, për dy pilotët e Ferrarit preokupon disi ritmi i garës, pasi ishin dukshëm inferiorë ndaj rivalëve në këtë aspekt. Sot në orën 15:00 do të jetë radha e provave kualifikuese.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat