F1: Vetëm dy pilotë kanë fituar 6 tituj – Schumacher kapi edhe të shtatin – A mund ta tejkalojë Hamilton? - Bota Sot
F1: Vetëm dy pilotë kanë fituar 6 tituj – Schumacher kapi edhe të shtatin – A mund ta tejkalojë Hamilton?

Formula 1

F1: Vetëm dy pilotë kanë fituar 6 tituj – Schumacher kapi edhe të shtatin – A mund ta tejkalojë Hamilton?

Më: 4 nëntor 2019 Në ora: 14:38
Schumacher dhe Hamilton

Lewis Hamilton po vazhdon dominimin e tij në Formula 1.

Piloti britanik mbrëmë ka fituar edhe titullin e tij të gjashtë të kampionit të botës, për të rikonfirmuar se kush është më i miri aktualisht, në pistat e F1.

Por, para Hamilton, ka pasur shumë kampionë të tjerë. Sigurisht, njëri nga ta është edhe Michael Schumacher, fytyra e Formula 1 – kampioni me Ferrari.

Schumacher arriti që të fitonte plot shtatë tituj kampion bote (1994, 1995, 2000, 2001, 2002, 2003, 2004), për t’u kthyer në një ikonë të këtij sporti.

Gjermani kishte debutuar në vitin 1991, në Grand Prix Belgium, kurse fitoren e tij të parë e kishte regjistruar një vit më vonë, po në Grand Prix Belgium, shkruan lajmi.net.

Fitorja e fundit e Schumacher vinte në vitin 2006, në Grand Prix të Kinës, kurse paraqitja e tij e fundit ishte në Brazil, në vitin 2012.

Por, tashmë rekordi i pilotit gjerman po rrezikohet. Britaniku Lewis Hamilton po afrohet – është ai që dominon pistat e F1.

Titulli i fituar mbrëmë nga Hamilton ishte i gjashti në karrierën e pilotit të Mercedes. Dhe, vetëm dy janë pilotët që kanë fituar gjashtë tituj: Michael Schumacher ( i cili pastaj fitoi të shtatin), dhe Lewis Hamilton, i cili synon të kalojë edhe gjermanin.

Si është ecuria e Hamilton? Kur i fitoi ai titujt e kampionit të botës? A ka gjasa që ai të fitojë edhe dy kampionate?

Hamilton e nisi karrierën e tij në vitin 2007, në Grand Prix të Australisë. Fitoren e tij të parë ai e arriti po atë vit, në Grand Prix të Kanadasë.

Gjashtë titujt e tij të kampionit të botës erdhën në vitet 2008, 2014, 2015, 2017, 2018 dhe 2019.

Kjo tregon se piloti britanik është në një formë të jashtëzakonshme viteve të fundit, dhe shenja për ngadalësim nuk pati as këtë vit – ku po ashtu u shpall kampion me 408 pikë të fituara, përkundër konkurrencës së madhe që vjen nga emra si Valtteri Bottas, që po ashtu garon me Mercedes, ose Max Verstappen i Red Bull, Sebastian Vettel e Charles Leclerc të Ferrari, të cilët detyruan Hamilton që të shkonte në limitet e tij.

Anëtari i Mercedes numëron tashmë 34 vite mbi supet e tij. Ai ka akoma kohë në dispozicion për të kapur rekordin e Schumacher prej 7 titujve, madje edhe për ta kaluar atë, me mundësinë që për gjeneratat në ardhje, të jetë ai fytyra dhe ikona e Formula 1.

Hamilton, me makinën e tij të Mercedes që bartë numrin 44, ka gjithçka në dorën e tij. Mbetet të shihet se a do të thyhet rekordi i Schumi – gjermanit që tash e ca vite ka një sfidë më të rëndësishme se Formula – atë me jetën.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat