Objektivi i Sebastian Vettel në dy garat e mbetura të sezonit, atë të Brazilit dhe Abu Dhabit, është të grumbullojë sa më shumë pikë, në mënyrë që të mbyllë këtë kampionat në vendin e tretë të renditjes botërore. Aktualisht, piloti gjerman ndodhet i pesti, me 230 pikë, 19 pikë pas shokut të tij të skuadrës, Charles Leclerc (249 pikë). Ndërsa mes tyre, me 235 pikë, është Max Verstappen (Red Bull).
“Dua ta mbyll këtë botëror në vendin e tretë. Nuk mund të shkojmë më lart, janë dy pilotët e Mercedes. Gjithsesi, nuk ka rëndësi për mua nëse e mbyll botërorin para Charles appo jo, kjo nuk do të kushtëzojë marrëdhënien tonë për vitin 2020. Në garat e fundit kemi dueluar shpesh për fitore, shpresojmë që kjo të vazhdojë deri në fund të këtij sezoni”, tha Vettel nga Brazili.