Moto GP 2019: Marquez, ‘autokrati i pistave’ – viti tjetër sjell një kundërshtar special për të - Bota Sot
Moto GP 2019: Marquez, ‘autokrati i pistave’ – viti tjetër sjell një kundërshtar special për të

Formula 1

Moto GP 2019: Marquez, ‘autokrati i pistave’ – viti tjetër sjell një kundërshtar special për të

Më: 2 janar 2020 Në ora: 20:32
Marquez

Shpejtësi e madhe, adrenalinë e madhe dhe emocione të shumta. Kështu kaloi viti 2019 në Moto Grand Prix, me dominimin e një piloti të vetëm, spanjollit Marc Marquez.

Marquez, me numrin 93 tek skuadra e Honda, ishte i paprekshëm nga pilotët e tjerë të Moto GP, të  cilët ishin vetëm garues ‘numri’, për ‘autokratin’ e pistave – ‘autokrat’ i cili nuk lejoi asnjë tjetër të garonte për titullin e kampionit të botës. Spanjolli, i pashqetësuar, arriti që në 2019 të siguronte titullin e tetë të kampionit të botës.

Piloti i Honda jetoi një vit ‘magjik’, ku arriti të fitonte 12 nga 19 garat e Moto GP, duke mbajtur distancë tejet të madhe me të tjerët, të cilët maksimumin e numrit të fitoreve e kishin 2. Lideri i pakontestuar, që vitin e nisi me humbje, synon të mbetet i paprekur në histori, për një kohë të gjatë në historikun e garave me motoçikleta.

Më 10 mars, në Grand Prix të Katarit, dukej sikur spanjolli Marquez do të kishte vështirësi gjatë këtij viti. Numri 4 i Ducati, Dovizioso, do të mbyllte garën në pozitën e parë, me 0:42:36.902, duke lënë prapa Marquez me vetëm +0.023 sekonda.

Qysh në garën e dytë, anëtari i Honda do të shënonte fitoren e parë sezonale, duke triumfuar në Argjentinë, me Valentino Rossin që e ndiqte në pozitën e dytë. Por, fillim sezoni doli të hapte më shumë telashe, pasi në Grand Prix të Amerikës, Marquez nuk arriti të mbyllte garën, duke përfunduar me zero pikë, në pozitën 20.

Para tifozëve të tij, në Grand Prix të Spanjës, Marquez do të merrte fitoren e dytë sezonale, duke lënë prapa tij dy spanjollët e tjerë, Rins dhe Vinales, për të grumbulluar 25 pikë të tjera. Njësoj, Marquez do të përfundonte i pari edhe në Francë, ku e mbyllte më mirë se Dovizioso, me 1.984 sekonda.

Ndër të paktat gabime të këtij sezoni për Marquez do të vinte në Itali, ku piloti Petrucci do të triumfonte para tifozëve të tij, me Marquez që mbërrinte pas tij me vetëm 0.043 sekonda.

Katalonia, vendi ku Marquez admirohet, ishte pista e radhës ku numri 93 i Honda do të ishte i pakapshëm. Në këtë garë, vetëm Fabio Quartararo, i riu i garës, do të ishte ai që mbante hapin me ‘autokratin’. Marquez e mbyllte me -2.660s para francezit. Por, konsistenca ishte ajo që kërkohej. Marquez lëshonte ‘pe’ në Holandë, duke i dhënë mundësi për fitore bashkëkombësit të tij, Vinales, mbrapa të cilit qëndronte me më shumë se 4 sekonda.

Pas kësaj gare, Honda do të merrte dy fitore, të dyja me Marquez. Grand Prix Gjermania dhe Grand Prix Çekia do të ishin garat ku Marquez përfundonte i pari, përcjell nga Vinales e Dovizioso, kurse në Austri, spanjolli do  t’i linte pozitën e të parit italianit Dovizioso, me Yamaha, për të qëndruar vet në pozitën e dytë. Në të nëjtën pozitë spanjolli do ta mbyllte edhe garën në Britani, por kësaj radhe pas spanjollit tjetër, Rins, të Suzuki.

Dy ndeshje pa fitore ishin një befasi për anëtarin e Honda. Më i shpejti i vitit 2019 në Moto GP do të kthehej me shumë motiv në San Marino, për të lënë prapa tij Quartararon, duke marrë 25 pikë të reja për klasifikimin e përgjithshëm.
Gara në pistën e Aragon Grand Prix do të ishte e veçantë për Marquez, pasi spanjolli morri këtë vit fitoren e parë në këtë pistë, më 22 shtator, duke lënë prapa italianin Dovizioso. Ky Grand Prix ndër të tjerash ishte i veçantë pasi ishte jubilar, i 200-ti.

Me formë të mirë, porse me pakëz frikë, Marquez do të fitonte edhe në Grand Prix të Tailandës. Para kësaj gare, piloti spanjoll do të testonte limitet e tij në kualifikuese, për t’u përplasur keq, duke përfunduar edhe në spital.

Ai u kthye në kohë për garën, duke përfunduar para Quartararo, me +0.171 sekonda, me tejkalimin që vinte në kthesën e fundit, për 25 pikë të reja, pikë të cilat ia siguruan titullin e tetë të kampionit të botës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat