Alex: Ëndërr e krenar që do të garoj krah Marc!

Formula 1

Alex: Ëndërr e krenar që do të garoj krah Marc!

Më: 4 janar 2020 Në ora: 16:43
Alex: Ëndërr e krenar që do të garoj krah Marc!

Edicioni i 72-të i kampionatit botëror të Moto GP do të ketë në vijën e startit dy vëllezër që do të përdorin të njëjtën markë, por mbi të gjitha do të jenë pjesë e së njëjtës skuadër. Bëhet fjalë për skuadrën e famshme  japoneze Repsol Honda, që ka koleksionuar për tre vjet rresht titullin në klasifikimin ekipor, në cilindratën më të lakmuar të kampionatit botëror të motoçiklizmit. Bëhet fjalë për vëllezërit Marc dhe Alex Marquez, që në edicionin e fundit fituan respektivisht titujt në Moto Gp dhe Moto 2. Një emocion tepër i veçantë natyrisht për 23-vjeçarin Alex Marquez, që po bën çmos për të ecur në gjurmët e vëllait të tij të madh.

Alex Marquez: “Është një ëndërr e bërë realitet. Është nder për mua për të mbajtur këto ngjyra dhe për të veshur këtë fanellë, prandaj jam vërtet shumë i kënaqur për këtë mundësi, si dhe për faktin që do të garoj në Moto GP me një ekip si Repsol Honda. Isha mësuar për të parë me këto ngjyra vëllanë tim, por jo veten, kështu që ndihem vërtet shumë krenar.”

Pas pozicionimit për dy herë rresht në vendin e katërt në klasifikimin e përgjithshëm, më në fund sezonin e kaluar Alex Marquez u kurorëzua me trofeun në Moto 2, teksa mposhti për vetëm tre pikë më shumë pilotin nga Afrika e Jugut Brad Binder.

Alex Marquez: “Kur fiton kampionatin në Moto 2, dëshira e gjithkujt është për të qenë pjesë e një ekipi zyrtar. Tani që gjithçka bëhet realitet si dhe fakti që do të jem pjesë e skuadrës Repsol Honda, ekipit me më tepër histori në Moto GP, sigurisht që është nder për mua.

Jam i vetëdijshëm për vështirësitë e mëdha, megjithatë është një sfidë e bukur. Që nga momenti që thashë po, që e dua me 100% këtë mundësi nuk më mbetet gjë tjetër përveçse ta shijoj këtë mundësi dhe të përpiqem të bëj më të mirën. Mund ta them, që të jem piloti më i mirë debutues i vitit përbën objektivin e parë për këtë sezon, por është ende herët për të menduar për një pozicion të caktuar. Tani dua të përqendrohem për të kuptuar më mirë motorin. Të mësohem më të, duke fituar besimin e nevojshëm dhe në vazhdim përpara garës së Katarit do të jem në gjendje për t’i parë gjërat më mirë, për të folur qartë edhe në lidhje me mundësitë e mia reale në garën hapëse të sezonit.”

Përgjithësisht, në Klasin Mbretëror ka shumë rivalitet ndërmjet pilotëve të të njëjtit ekip, sidoqoftë këtë radhë gjërat janë krejt ndryshe dhe në mënyrë të kuptueshme pritet një bashkëpunim i gjerë dhe tepër i frytshëm mes dy vëllezërve, për t’i shpërblyer besimin drejtuesve, por mbi të gjitha duke vijuar rrugën e sukseseve, për të siguruar sa më shpejt që të jetë e mundur titullin e 11 në më pak se dy dekada, për ekipin e famshëm nipon Repsol Honda.

Alex Marquez: “Mendoj se duhet ta përballojmë këtë situatë në një mënyrë sa më normale. Ne e dimë shumë mirë që jemi vëllezër, por brenda ekipit jemi shokë skuadre. Që të dy do të kemi skuadra të vecanta dhe do të punojmë sipas mënyrës tonë. Sigurisht për mua është një avantazh shumë i madh për të patur në garazh një pilot që është 6 herë Kampion Bote, kështu që do të përpiqem për të grumbulluar gjithë informacionin e nevojshëm, për të mësuar sa më shumë që të jetë e mundur prej tij.”

Sezonin e kaluar te Honda Zyrtare zhgënjeu piloti tjetër spanjoll Jorge Lorenzo, që e mbylli vitin në vendin e 19-të, me vetëm 28 pikë të grumbulluara në 15 gara, pasi në tre garat e tjera 3 herë kampioni i botës në Klasin Mbretëror u zëvendësua nga piloti gjerman Stefan Bradl. Ashtu si vëllai i tij i madh, edhe Alex Marquez do të ngjitet në nivelin elitar të motoçiklizmit, pasi është kurorëzuar më parë në dy kategoritë e mëparshme, në vitet 2014 e 2019 në Moto 3 dhe Moto 2, respektivisht me Honda dhe Kalex.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat