Wolff nuk fshihet

Formula 1

Wolff nuk fshihet

Më: 17 maj 2020 Në ora: 15:35
Wolff nuk fshihet

Largimi i 4 herë kampionit të botës Sebastian Vettel nga një ekip si Ferrari ka shkaktuar mjaft habi në gjithë ambjentet e Formulës 1 dhe një vendim i tillë natyrisht është shoqëruar edhe nga komente të shumta. Së fundmi i është bashkuar këtij kori edhe vetë drejtuesi më i lartë i skuadrës Mercedes–AMG Petronas Toto Wolff, që deklaroi se sipas tij një kalim i mundshëm i 32-vjecarit nga Heppenheimi në radhët e ekipit gjerman do të përbënte një histori shumë të bukur marketing.

Bosi i ekipit Mercedes shpjegoi se Sebastian Vettel është akoma një pilot shumë i mirë në këtë sport, madje 48-vjecari austriak shtoi se nëse do të realizohej kalimi i Sebit në radhët e skuadrës me bazë në Brackley, në Northamptonshire atëherë do të bëhej fjalë për një veprim shumë të mirë marketingu në favor të markës së famshme gjermane, shkruan supersporti.

Investitori i njohur vjenez që aktualisht ka 30% të aksioneve në skuadrën Mercedes–AMG Petronas rrëfeu për televizionin shtetëror austriak ORF se në mënyrë të kuptueshme kalimi I një piloti gjerman në një ekip gjerman në këtë sport do të ishte një histori shumë e mirë marketing. Ashtu si edhe javën e kaluar Toto Wolff nuk u kursye aspak në lëvdatat ndaj 4 herë kampionit të botës. Ai qartësoi se ekipi Mercedes është i përqëndruar te suksesi dhe Seb konsiderohet si një pilot i tillë, që është vërtet shumë i zoti. Sipas drejtuesit vjenez Vettel është i lirë për të bërë zgjedhjen e tij, nëse kërkon të heqë dorë përfundimisht apo të zhvendoset në radhët e një skuadre tjetër, gjithsesi sipas tij aktualisht në Formula 1 janë disa ekipe që mund të ngjallin interes për pilotin e mirënjohur nga Hesse. Toto Wolff vijoi fjalën e tij duke shtuar se nuk i kupton aspak vendimet e drejtuesve të ndryshëm në kampionatin më të rëndësishëm të automobilizmit, që preferojnë të zyrtarizojnë lajme mbi transferimin e pilotëve në një kohë të tillë, pra që përpara se sa të fillojë edhe sezoni i ri të Formulës 1.

Java e kaluar ishte një javë tepër e ngjeshur përsa i përket lajmeve të merkatos së pilotëve. Sic dihet vetëm pak ditë më parë u mësua fakti që spanjolli Carlos Sainz do të jetë piloti që do të zëvendësojë Vettel-in te Ferrari, ndërsa po javën e shkuar u konfirmua gjithashtu edhe lajmi i kalimit të australianit Daniel Ricciardo në radhët e ekipit McLaren. Wolff qartësoi se skuadra Mercedes nuk ka ndër mend të bëjë zgjedhje të tilla, sepse është vërtet e vështirë për të administruar sic duhet situata të tilla, kur një vit të duhet të punosh me një pilot, që sezonin pasardhës do të kalojë në vazhdim në radhët e një tjetër ekipi rival. 48-vjecari vjenez deklaroi se nuk është e thjeshtë për të menaxhuar situata të tilla, pasi është e sigurtë që risitë apo zhvillimet e makinës gjatë një edicioni do të përcillen nga po I njëjti pilot sezonin e ardhshëm te drejtuesit e skuadrës rivale.

Sipas drejtuesit të ekipit Mercedes kjo është pikërisht situata me të cilën do të përballen në vijim skuadrat që preferuan për t’u ngutur, duke nxituar me shpejtësi për të bërë ndryshime si këto në radhët e skuderive të tyre. Me një problem të tillë do të përballen herët apo vonë natyrisht edhe vetë drejtuesit e skuadrës gjermane, por sigurisht që nuk do të jetë e njëjta gjë. Drejtuesit e Mercedesit preferojnë gjithmonë për t’i marrë vendime të tilla vetëm në fund të sezonit, pa influencuar në performancën e pilotëve apo qoftë edhe administrimin e duhur të të dhënave apo detajeve teknike të rëndësisë së vecantë.

Siç dihet kontratat e dy pilotëve aktualë Lewis Hamilton dhe Valtteri Bottas përfundojnë vitin e ardhshëm, kështuqë te ky ekip do të duhet të vendosin se cfarë do të bëjnë në të ardhmen. Mbetet për t’u parë se cfarë do të bëhet me pilotin e ri britanik George Russell apo qoftë edhe me pilotin gjerman Sebastian Vettel, sidoqoftë 48-vjecari vjenez shpjegoi se këto cështje nuk përbëjnë ndonjë përparësi të vecantë për momentin në radhët e drejtuesve të kësaj skuadre, pasi fokusi është te ekipi aktual. Toto Wolff e mbylli fjalën e tij duke theksuar se është krenar që edicioni i 71 i kampionatit botëror të Formulës 1 do të hapet pikërisht në atdheun e tij, pra me Cmimin e Madh të Austrisë, garë që do të celë sezonin më datë 5 korrik, në pistën A1-Ring, apo sic quhet ndryshe Red Bull Ring, në Spielberg.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat