Bottas: Ky është sezoni i duhur

Formula 1

Bottas: Ky është sezoni i duhur

Më: 14 qershor 2020 Në ora: 17:52
Bottas: Ky është sezoni i duhur

Valtteri Bottas beson se është gati për të sulmuar titullin në kampionatin botëror të pilotëve të Formulës 1, për vitin 2020. 30-vjeçari finlandez është i bindur se tani ka gjithçka çfarë i nevojitet për të sfiduar shokun e tij te skuadra Mercedes, kampionin në fuqi Lewis Hamilton, për titullin botëror në këtë sport. Piloti nordik e ka shfrytëzuar kohën e gjatë të shkëputjes për shkak të pandemisë së koronavirusit për t’u përmirësuar si në aspektin fizik ashtu edhe në atë psikologjik.

Ditën e martë madje Valtteri Bottas u rikthye në cirkuitin e Silverstone-t, me makinën Mercedes të vitit 2018, për t’u stërvitur dhe përshtatur sërish me njëvendëshet e Formulës 1, pas një periudhe vërtet shumë të gjatë larg pistave. Bottas shpjegoi për SkySports se kjo kohë e papritur dhe e pazakontë shkëputjeje i ka bërë vërtet mirë dhe i ka shërbyer së tepërmi, mbi të gjitha në aspektin psikologjik, pasi ndodh fare rrallë që një pilot të ketë kaq shumë kohë të lirë në dispozicion për të provuar diçka të ndryshme dhe për t’u marrë me gjëra të tjera.

30-vjeçari skandinav shtoi se pilotëve të automobilizmit u ndodh shumë rrallë që të merren me veten apo të përqendrohen te gjërat e tjera, por kjo kohë ka qenë vërtet tepër e dobishme për të, për t’u forcuar në aspektin psikologjik deri në atë pikë sa edhe për të synuar titullin më të lakmuar në këtë sport. Prej vitesh Valtteri Bottas nget makinën e dytë më të shpejtë në Formula 1. Makinën më të mirë kuptohet e ka kampioni në fuqi, piloti britanik Lewis Hamilton, që po përfiton në maksimum nga avantazhet e mëdha që i ofron ekipi Mercedes për të ngushtuar ndjeshëm diferencën me pilotin e famshëm gjerman Michael Schumacher, që numëron 7 tituj gjithsej.

Valtteri Bottas u largua në fundin e vitit 2016 nga ekipi Williams, për të kaluar në radhët e skuadrës Mercedes dhe në fakt pavarësisht superioritetit të jashtëzakonshëm të makinës gjermane debutimi i tij ishte vërtet mbresëlënës, duke e mbyllur vitin e tij të parë me 3 fitore dhe 4 pole position. Sezoni pasardhës ishte tepër zhgënjyes, teksa piloti finlandez e përfundoi kampionatin pa asnjë fitore dhe me thjesht 2 pole position, duke u pozicionuar në mbyllje në vendin e pestë në klasifikimin e përgjithshëm.

Viti absolutisht më i mirë për të në karrierë konsiderohet padyshim viti I kaluar, pasi Bottas u shpall nënkampion bote, me 87 pikë më pak pas shokut të tij të ekipit Lewis Hamilton, që dominoi edicionin e shkuar duke fituar 11 nga 21 garat e zhvilluara. Tani Bottas beson se ka ardhur koha për të sfiduar pikërisht kolegun e tij te skuadra Mercedes. Valtteri Bottas beson se sezoni i sivjetshëm në Formula 1 do të jetë tepër i veçantë, për shkak të rrethanave. Për hir të së vërtetës bëhet fjalë për një edicion të shkurtuar, madje kalendari i planifikuar është copëtuar akoma më shumë duke marrë në konsideratë faktin që ditën e premte nga ky sezon u hoqën gjithashtu edhe garat në Çmimet e Mëdha të Japonisë, Singaporit dhe Azerbajxhanit. Piloti nordik beson se çdo gabim do të influencojë shumë më tepër se më parë dhe në fund gjëja më e rëndësishme do të jetë qëndrueshmëria në rezultate.

Bottas rrëfeu se e kuptoi diçka të tillë edhe gjatë testimeve të bëra në Barcelonë, kur hodhi hapa të mirë përpara duke u përqendruar dhe përmirësuar në marrjen e disa kthesave, sidoqoftë piloti që nget makinën me numrin 77 shpjegoi se gjatë periudhës së izolimit për shkak të virusit COVID-19 është marrë shumë me simulatorin dhe ka punuar fort në këtë drejtim. Zgjedhja e dytë e ekipit Mercedes tha se tani është shumë më i kompletuar si pilot, por gjithashtu edhe në aspektin fizik ndihet shumë më i fortë se më përpara. 30-vjecari ndihet në formë dhe ka fituar besimin e duhur në aspektin psikologjik për të sulmuar titullin në botërorin e pilotëve, trofe që deri tani duket sikur është shndërruar në pronë të kolegut të tij te ekipi Mercedes Lewis Hamilton.

Bottas e ka ndihmuar pafundësisht 35-vjeçarin anglez, duke iu bindur në mënyrë të verbër urdhrave të marrë nga drejtuesit e skuadrës. Dyshes Hamilton–Bottas i përfundon kontrata me ekipin gjerman Mercedes – AMG Petronas pikërisht në fund të këtij sezoni, gjithsesi kreu i ekipit, 48-vjeçari vjenez Totto Wolff është i bindur se nuk do të jetë aspak problem çështja e rinovimit. Krerët e Formulës 1 bashkë me një pjesë të mirë të skuadrave të tjera po përpiqen me të gjitha forcat për të ndryshuar situatën në Formula, duke reduktuar shpenzimet dhe kufizuar buxhetin në dispozicion të ekipeve, për të shtuar në këtë mënyrë rivalitetin.

Mercedesi ka vënë hegjemoninë e tij në Formula 1, duke fituar radhazi 6 kampionatet e fundit në botërorin e konstruktorëve, prandaj edhe një pjesë e mirë e ekipeve janë dakord me ndryshimet e kërkuara, për të patur në këtë mënyrë një aktivitet më të ekuilibruar dhe shumë më kompetitiv, gjë që natyrshëm do të influenconte edhe në rritjen e shikueshmërisë dhe rikthimin e vëmendjes që ky sport meriton. Falë avantazheve të mëdha teknike të makinës Mercedes përfitoi gjithashtu edhe piloti gjerman me origjinë finlandeze Nico Rosberg, që në vitin2016 ia doli të mposhtë britanikun Leëis Hamilton.

Asokohe drejtuesit e skuadrës nuk ndërhynë në pjesën përmbyllëse të sezonit për të favorizuar pilotin anglez, kështu që një fillim i mbarë i kampionatit të sivjetshëm nga Valtteri Bottas mund të sillte një situatë të ngjashme. Viti i kaluar ishte më i suksesshmi në karrierë dhe Bottas fitoi 4 gara në total, në Çmimet e Mëdha në Australi, Azerbajxhan, Japoni dhe Shtetet e Bashkuara, pa harruar gjithashtu edhe 5 pole position si dhe faktin që në pesë garat e para të sezonit të shkuar Bottas dhe Hamilton pushtuan dy vendet më të larta të podiumit, duke krijuar idenë e gabuar se mes të dyve do të lindte një rivalitet i ashpër për çështjen e titulli, titull që në fund u fitua për të tretin vit rresht pikërisht nga Lewis Hamilton.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat