FASK i lut qytetarët të mos shkojnë në Sllatinë

Formula 1

FASK i lut qytetarët të mos shkojnë në Sllatinë

Më: 19 qershor 2020 Në ora: 17:30
FASK i lut qytetarët të mos shkojnë në Sllatinë

Këtë fundjavë, në pistën e vjetër të aeroportit në Sllatinë, mbahet Drag Race i parë për këtë vit. E veçanta e garës do të jetë se do të zhvillohet pa praninë e shikuesve, që gjithsesi do të jetë një hendikep i madh, por Federata e Auto Sportit e Kosovës (FASK) ka bërë atë që është e mundur.

“Kërkojmë mirëkuptim maksimal nga dashamirët e automobilizmit që këtë herë të mos vijnë në pistë, por garën ta shikojnë në TV. Jemi të vetëdijshëm për situatën me pandemi, prandaj të mos e rrezikojmë jetën e askujt. Do të kemi raste tjera të organizojmë gara në kushte normale dhe atëherë do ta kemi edhe publikun. Edhe njëherë ju lusim të respektoni kërkesën tonë dhe të institucioneve tjera dhe mos ejani në Sllatinë”, ka thënë kryetari i FASK-ut, Ismet Rexhepi.

Përndryshe, procedurat tjera të garës do të jenë të njëjtat me ato të së kaluarës. Të shtunën, nga ora 09:00-10:30 bëhet paraqitja në garë dhe pajisja me numra, për të vazhduar pastaj me verifikimin e dokumentacionit dhe kontrollimin teknik të veturave.

Në vazhdim do të ketë lëshime të lira, brifingu dhe lëshimet kualifikuese gjatë të cilave secilit garues do t’i matet koha ku edhe do të përcaktohet klasa e tyre.

Të dielën, në orën 10:00 është brifingu i garës, e cila fillon në orën 11:00.

Njoftim me rëndësi!!!

“DRAG RACE-1” do të zhvillohet PA PUBLIK!

Të gjithë pjesëmarrësit, përfshirë këtu garuesit, shoqëruesit, marshallët, mediat duhet t’i përmbahen rekomandimeve të IKSHPK-së, të cilat janë OBLIGATIVE;

1) Maska 2) Dorëzat 3) Mbajtja e distancës

Përgjegjës për monitorimin dhe mbarëvajtjen e garës janë Policia e Kosovës, të cilët nëse vërejnë se rekomandimet e lartcekura nuk po respektohen nga individë të caktuar, pa asnjë përjashtim do të ndëshkohen duke u larguar nga gara.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat