Takuma Sato triumfon në Indianapolis, zhgënjen Fernando Alonso

Formula 1

Takuma Sato triumfon në Indianapolis, zhgënjen Fernando Alonso

Më: 24 gusht 2020 Në ora: 19:41
Alonso

Takuma Sato fitoi edicionin e 104 të garës së famshme të Indianapolisit.

Ish-piloti i Formulës 1 triumfoi në këtë mënyrë për herë të dytë në karrierë, në një ndër garat më të lavdishme të motor-sportit në glob, teksa mbajti prapa për 20 xhirot e fundit pilotin e mirënjohur nga Zelanda e Re Scott Dixon.

Siç dihet edicioni i sivjetshëm i kampionatit IndyCar Series zhvillohet me një format të shkurtuar për shkak të pandemisë së koronavirusit dhe nga 17 që ishte numri i garave të vitit të kaluar, në kalendarin e vitit 2020 ky kompeticion është reduktuar me thjesht 12 të tilla. Gjysma e këtyre garave zhvillohet në cirkuite ovale, ndërsa gjysma tjetër mbahet në pista rrugore, sidoqoftë gara më e famshme dhe më e lakmuar e kampionatit mbetet si gjithmonë gara e 500 miljeve.

Sivjet gara e Indianapolisit u vendos në radhë si gara e shtatë e sezonit dhe si zakonisht u zhvillua në Shtetin e Indianës, në Indianapolis Motor Speedway. Brickyard është një ndër pistat më të famshme në rruzull dhe është ndërtuar që në vitin e largët 1.909. Një cirkuit tepër i vecantë ku është ruajtur vetëm pjesa e startit apo finishit nga pjesa origjinale e shtruar me tullat e kohës, segment gjithsesi i shkurtër prej vetëm 1 yard.

Edicionin e sivjetshëm të garës së 500 miljeve, që e konvertuar është afërsisht 804,7 kilometra, e filloi nga pole position me Honda 33-vjecari Marco Andretti, që i përket brezit të tretë të familjes së famshme italo – amerikane të motorsportit. Nga vija e dytë u nis holandezi Rinus VeeKay, i skuadrës Ed Carpenter Racing, që garon me Chevrolet, ndërsa nga vija e tretë startoi me Honda piloti i ri spanjoll Alex Palou, një rezultat i shkëlqyer për këtë dyshe, duke marrë në konsideratë faktin që si VeeKay ashtu edhe Palou ishin debutues në garën e Indianapolisit.

Gara u zhvillua shumë e fortë dhe 5 herë kampioni i IndyCar Series Scott Dixon ishte piloti që qëndroi për më shumë kohë në kryesim. 40-vjecari që ka lindur në Brisbane në Australi garon nën flamurin e Zelandës së Re, për të respektuar origjinën e tij dhe piloti i ekipit Chip Ganassi Racing u nis nga vendi i 2 dhe udhëhoqi garën për plot 111 rrotullime, nga 200 xhiro që përmban gjithsej gara. Pavarësisht performancës së tij shumë të mirë Scott Dixon pati gjatë gjithë kohën shqetësimin e pilotit nipon, Takuma Sato, që e filloi aventurën e tij në Brickyard nga pozicioni i 3 në vijën e nisjes.

Si Dixon ashtu edhe Sato e kishin përvojën e duhur për të triumfuar në Indy 500, duke patur parasysh fitoret respektive me Honda, në vitet 2008 e 2017, madje me suksesin e vitit 2017 veterani japonez u bë edhe piloti i parë nga “vendi i lindjes së diellit” që ia doli për të triumfuar në Indianapolis. 43-vjecari nga Tokio ishte pothuajse gjatë gjithë kohës në tre vendet e para, sidoqoftë të dy u ndjenë mirë dhe fituan besim, falë makinave shumë të shpejta që kishin në dispozicion.

Veterani nipon që ka garuar për 7 sezone në Formula 1 e mori kryesimin 28 xhiro para fundit dhe nuk e lëshoi më, megjithatë shumë influencoi një aksident që i ndodhi shokut të skuadrës së Satos te ekipi Rahal Letterman Lanigan Racing, 26-vjecarit kalifornian Spencer Pigot, që 6 rrotullime para fundit humbi kontrollin e Hondës së tij dhe përfundoi në murin e gomave, duke shpërndarë papastërti në një pjesë të konsiderueshme të pistës.

Për hir të së vërtetës zelandezi Scott Dixon ishte vetëm 1’ prapa Takuma Sato-s, kur ndodhi incidenti dhe u duk sikur piloti i makinës me numër 9 e kishte shpejtësinë e nevojshme për të rimarrë vendin e parë, gjithsesi komisarët e garës e panë të arsyeshme për të mos rrezikuar, pasi e vlerësuan si të pamjaftueshme kohën për të pastruar mbetjet në pistë.

Makinat u vunë në rresht nën regjimin e flamujve paralajmërues dhe veterani japonez që deri atëherë ishte në vështirësi për sasinë e pamjaftueshme të karburantit kaloi krejtësisht i qetë vijën e finishit, duke fituar për herë të dytë në karrierë garën e Indianapolisit. Sato i përshkoi 500 miljet me kohën 3 orë, 10 minuta e 5 sekonda, ndërsa i dyti në Indianapolis për herë të tretë në karrierë u pozicionua pikërisht Scott Dixon, ndërkohë podiumi u kompletua nga shoku i Satos te ekipi Rahal Letterman Lanigan Racing, 31-vjecari nga Ohio Graham Rahal që e filloi aventurën e tij nga vendi i 8.

Fituesi i vjetshëm, piloti francez i Team Penske Simon Pagenaud e mbylli garën vetëm në vendin e 22, ndërsa kampioni në fuqi i IndyCar Series, piloti tjetër i skuadrës Penske 29-vjecari nga Tennessee Josef Newgarden vuajti startin e dobët dhe nuk shkoi më lart se vendi i pestë. Në këtë edicion mori pjesë edhe 2 herë kampioni i botës, veterani spanjoll Fernando Alonso.

39-vjeçari asturian garoi për ekipin Arrow McLaren me Chevrolet-in me numër 66 dhe e filloi garën nga vija e nëntë, më saktë nga pozicioni i 26, sidoqoftë veterani iberik pati probleme në makinë dhe e përfundoi garën vetëm në vendin e 21 , duke shtyrë në këtë mënyrë edhe me tre vjet të tjerë ëndrrën për të kompletuar kurorën e trefishtë në motorsport, Le Mans, Monte Carlo dhe Indy 500, sepse sic dihet piloti spanjoll ka firmosur një kontratë 2-vjecare për t’u rikthyer sërish në Formula 1 në radhët e skuadrës Renault, që ia ka ndaluar Alonsos pjesëmarrjen në këtë garë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat