Braktisin skuadrën angleze!

Formula 1

Braktisin skuadrën angleze!

Më: 3 shtator 2020 Në ora: 18:46
Braktisin skuadrën angleze!

Frank dhe Claire Williams largohen nga ekipi legjendar Williams. Padroni i famshëm i skuadrës legjendare britanike, bashkë me vajzën e tij do ta lënë përfundimisht këtë fundjavë pas Çmimit të Madh të Italisë, ekipin që krijoi po vetë veterani katër dekada më parë.

Sir Franku e krijoi ekipin Williams në vitin e largët 1977 dhe e shndërroi në një ndër skuadrat më të forta në historinë e Formulës 1, megjithatë pas një periudhe të gjatë dhe tepër të vështirë të përjetur sidomos në vitet e fundit ekipi ndërroi duar dhe muajin e kaluar iu shit Grupit Investitor nga Shtetet e Bashkuara Dorilton Capital.

Për rrjedhojë Frank Williams dhe vajza e tij që ishte në funksionin e zëvendëses vendosën që të japin dorëheqjen dhe të largohen përfundimisht nga ky ekip. Skuadra Williams numëron plot 9 tituj në botërorin e konstruktorëve dhe në këtë lloj klasifikimi ekipi i famshëm britanik renditet në vendin e dytë, pas vetëm skuderisë italiane Ferrari, që kryeson me plot 16 trofe, ndërsa prapa pozicionohen ekipet Mclaren dhe Lotus respektivisht me nga 8 dhe 7 tituj, ndërkohë ekipi Mercedes falë gjashtë kampionateve të fituar radhazi është katapultuar në vendin e pestë.

Përveç 9 titujve për konstruktorë ekipi Williams krenohet edhe me 7 trofe të fituar nga pilotët e kësaj skuadre, i fundit i siguruar nga piloti kanadez Jacques Villeneuve, në vitin 1997 me motor Renault. Pikërisht në atë periudhë ka qenë edhe koha e artë për këtë ekip dhe për hir të së vërtetës vitet 80, 90 janë dominuar pikërisht nga skuadra e famshme, me bazë në Oxfordshire. Ekipi britanik në fakt nuk fiton një garë në Formula 1, që nga maji I vitit 2012, kur piloti venezuelian Pastor Maldonado fitoi garën e Çmimit të Madh të Spanjës, në Katalunjë.

Sezonin e kaluar ekipi Williams e mbylli sezonin me thjesht një pikë të vetme, falë një vendi të dhjetë në Cmimin e Madh të Gjermanisë, ndërsa në vitin 2018 skuadra britanike grumbulloi 7 pikë, por gjithsesi nuk u rendit në vendin e fundit, sepse aty rrëshqiti skuadra Sahara Force India, së cilës iu hoqën fare 59 pikët e fituara deri edhe në garën e 12, kur asetet e ekipit indian u blenë nga pronarët e skuadrës së re që u krijua me emrin Force India– Mercedes.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat