Piloti italian premton betejë të gjatë ligjore

Formula 1

Piloti italian premton betejë të gjatë ligjore

Më: 10 nëntor 2020 Në ora: 18:06
Piloti italian premton betejë të gjatë ligjore

Gjykata Arbitrare e Sportit në Lozanë ka vendosur fjalën fund në karrierën e pilotit 31-vjeçar italian Andrea Ianonne, pasi e ka pezulluar këtë të fundit me 4 vite, për shkak të gjetjes së organeve të kontrollit anti-doping se ka përdorur substanca të ndaluara.

Gjithçka nisi më 17 dhjetor të vitit të kaluar, kur menjëherë pas përfundimit të Çmimit të Madh të Malajzisë, në analizat e Iannones u konstatua prania e substancës së ndaluar Drostanolone, ndërsa më 18 mars të këtij viti piloti italian u pezullua përkohësisht me 18 muaj.

Megjithatë gjykatësit zviceranë kanë vendosur të kënaqin pretencën e WADA-s (Agjencia Botërore Anti-Doping), për të dënuar pilotin italian me 4 vite pezullim, çka mund të përkthehet edhe si mbyllje e karrierës së tij në Moto GP, sepse kur të ketë arritur në moshën 35-vjeçare, vështirë se do të ketë më stimuj për të garuar.

Vendimi parashikon mes të tjerave që Andrea Iannones të mos i njihet asnjë arritje sportive që prej 1 nëntorit, pavarësisht se edhe skuadra e Aprilias, me të cilën 31-vjeçari garonte, i doli në krah, duke theksuar se bëhej fjalë për një kontaminim pa vetëdije nëpërmjet ushqimit.
Tashmë skuadrës së Aprilias do t’i duhet të gjejë një tjetër pilot për sezonin e ardhshëm, duke qenë se aktualisht po garon vetëm me Aleix Espargaro, ndërsa kandidati kryesor për vendin e Iannones është Jorge Lorenzo.

Ndërkohë pak pas vendimit, ka reaguar edhe vetë piloti 31-vjeçar italian, që ka deklaruar se sot ka përjetuar padrejtësinë më të madhe në jetë, pasi e kanë ndarë nga pasioni dhe dashuria e tij më e madhe, garat në Moto GP.

“Sot kam pësuar padrejtësinë më të madhe të mundshme. Më kanë këputur zemrën, duke më ndarë nga dashuria ime e madhe. Motivacionet janë të palogjikshme dhe me të dhëna të gabuara. Megjithatë për të folur për këtë do të ketë kohë, pasi nuk kam ndërmend të dorëzohem. E dija që përballesha me fuqi të mëdha, por shpresoja. Shpresoja në ndershmërinë intelektuale dhe triumfin e drejtësisë.

Tani po vuaj aq sa nuk mundem më shumë, por kush u përpoq të shkatërrojë jetën time, do ta kuptojë shumë shpejt sa forcë kam brenda zemrës. Forcën e pafajësisë dhe mbi të gjitha një ndërgjegje të pastër. Një fjalë mund të modifikojë ngjarjet, por jo njeriun”, shkroi Iannone në Instagram.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat