Britanikët “ngrenë në qiell” Hamiltonin, por pilotët e tjerë mendojnë ndryshe

Formula 1

Britanikët “ngrenë në qiell” Hamiltonin, por pilotët e tjerë mendojnë ndryshe

Më: 17 nëntor 2020 Në ora: 11:02
Michael Schumacher

Lewis Hamilton në qiellin e shtatë. Piloti britanik e kishte pothuajse në xhep titullin e radhës, sidoqoftë gjithçka u zyrtarizua në Cmimin e Madh të Turqisë dhe 35-vjeçari nga Stevenage tani mund të krenohet se ka fituar po aq sa sa edhe piloti legjendar Michael Schumacher.

Vitet kalojnë dhe piloti i mirënjohur anglez vazhdon të dominojë garat e Formulës 1, deri në atë pikë sa për të fituar në Tuzla në pjesën aziatike të Stambollit me më shumë se gjysmë minute epërsi kundrejt ndjekësit të tij më të afërt, që në këtë rast ishte meksikani Sergio Perez, i cili garon për ekipin Racing Point.

Formula 1 e ditëve të sotme është ajo që është dhe vështirësitë e mëdha që ka shkaktuar pandemia e koronavirusit kanë shtuar problemet te skuadrat kundërshtare dhe vetëm sa kanë theksuar akoma më shumë diferencat e tmerrshme që ekzistojnë në këtë sport. Natyrisht e gjitha kjo nuk është se i intereson shumë britanikut, madje krejt ndryshe nga pilotët e tjerë të mëdhenj Hamilton nuk ka aspak ndër mend që të provojë veten te një skuadër tjetër. Numri 44 po garon sikur të mos ketë më të nesërme dhe me një ritëm të tillë është e qartë që sezonin e ardhshëm në këtë kohë kur të përmendet emri i tij do të flasim për pilotin absolutisht më fitues në historinë e Formulës 1.

Asgjë nuk zgjat përjetësisht dhe Hamilton e di shumë mirë këtë, prandaj po bën çmos për të përmirësuar shifrat, statistikat apo rekordet, duke përfituar në mënyrën më të mirë të mundshme, nga hezitimi i krerëve më të lartë për të ndryshuar dhe nga ky ngërç që kanë krijuar drejtuesit e këtij sporti, deri në atë masë sa për ta shndërruar botërorin e Formulës 1 në një kompeticion pa rivalitet, të mërzitshëm e gati – gati monomarkë, ku fiton pothuajse gjithmonë vetëm Lewis Hamilton. Në këtë sport pilotët legjendarë si Ayrton Senna, Michael Schumacher, apo qoftë edhe Juan Manuel Fangio kujtohen gjithmonë jo për numrat apo statistikat, por për mënyrën e tyre të veçantë të pilotimit, apo arritjet e jashtëzakonshme dhe sfidat e vështira që kanë ndërmarrë, duke provuar veten në makina të ndryshme.

Kështu për shembull Ayrton Senna nuk ka patur një makinë kaq elektronike dhe kaq të shpejtë krahasuar me konkurrencën sa kjo që ka në dispozicion Lewis Hamilton, e megjithatë piloti brazilian konsiderohet si piloti më i madh dhe më spektakolar i këtij sporti. Juan Manuel Fangio mbetet i pavdekshëm, pasi piloti i famshëm argjentinas është shpallur 5 herë kampion bote me 4 marka të ndryshme, si Alfa Romeo, Maserati, Mercedes dhe Ferrari, ndërsa piloti gjerman Michael Schumacher pavarësisht dominimit të skuderisë nga Maranello nga 1999 deri në vitin 2004 e provoi madhështinë e tij edhe me një ekip si Benetton-i, si me Ford ashtu edhe me motor Renault.

Shtypi britanik ka rendur me shpejtësi për ta quajtuar Hamilton-in si pilotin absolutisht më të madh të të gjitha kohërave, megjithatë janë tepër domethënëse fjalët e lëshuara nga piloti tjetër anglez Lando Norris që lë të kuptohet vlerësimin e ulët që kanë pilotët e tjerë për arritjet dhe sukseset e numrit 44. 21-vjecari nga Bristoli që garon për ekipin McLaren deklaroi shprehimisht se triumfet e njëpasnjëshme të Lewis Hamilton-it nuk do të thoshin asgjë për të, pasi sipas tij me atë makinë që nget 7 herë kampioni i botës duhet të fitojë cdo garë dhe i vetmi sforcim i vërtetë i kampionit në fuqi të botës është kalimi i një apo dy pilotëve të tjerë.

Historia dihet, shtypi britanik reagoi ashpër dhe Lando Norris u shtrëngua për të kërkuar të falur për pohimet e bëra dhe opinionin e tij. Gjithsesi ky është një diskutim që nuk do të mbyllet kurrë dhe rekordet janë bërë për të thyer një ditë. Kështu Hamilton u barazua me 7 tituj me gjermanin Michael Schumacher, ndërkohë 35-vjeçari nga Stevenage kryeson 94 me 91 me fitore, por gjithashtu edhe 163 me 155 podiume. Një tjetër fakt që tregon se Mercedesi është makina më dominuese në historinë e Formulës 1 konfirmohet nga 7 titujt e fituar radhazi nga skuadra gjermane në botërorin e konstruktorëve, gjë që kuptohet fare lehtë edhe nga statistikat për pole position, ku Hamilton kryeson plot 97 me 68, ndonëse ka startuar 42 gara më pak se sa piloti legjendar gjerman. Statistika që janë të destinuara të përmirësohen akoma më shumë, duke patur parasysh që vitin tjetër në sezonin e 72 të Formulës 1 që të gjithë bashkë do të vazhdojmë të përjetojmë dominimin e radhës nga ekipi Mercedes. 

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat