Nga Formula 1, te tradita e familjes, rrëfehet Jarno Trulli

Formula 1

Nga Formula 1, te tradita e familjes, rrëfehet Jarno Trulli

Më: 2 maj 2018 Në ora: 21:08
Jarno Trulli

Ish-piloti i Formulës 1, Jarno Trulli, pas një karriere gati 15-vjeçare në kategorinë mbretërore të automobilizmit, ka vendosur t’i rikthehet traditës së familjes së tij, që është prodhimi i verës.

Edhe pse asnjë lidhje në pamje të parë mes sportit të tij dhe verës, vendlindja në zonën e Abruzzos, e famshme për prodhimin e kësaj pijeje, është lidhja e vetme e pasionit të familjes së Trullit me pijen.

“Unë jam i lidhur me verën falë gjyshit tim që merrej me të. Përpos kësaj është për t’u theksuar se Abruzzo është një qytet me traditë për prodhimin e verës. Prodhojmë për të gjithë botën, kështu siç mbërritëm edhe këtu në Shqipëri. Vërtet mund të ngjaj me një ekspert vere, por më mirë njoh automobilizmin. Hajde të shkojmë të bëjmë një xhiro me makinë”, shprehet Jarno Trulli, ish-pilot i Formulës 1.

“Përgjithësisht eci ngadalë dhe shijoj udhëtimin. Nuk më kanë marrë asnjëherë patentën, nuk marr gjoba kurrë. Kam pasur kohë që të shfryj në pistë të gjithë pasionin për shpejtësinë. Sa i përket karrierës, ajo e pilotit është ndryshe nga ajo e një futbollisti. Për një pilot nuk mjafton vetëm talenti, apo puna. Për të fituar është shumë e vështirë, pasi duhet mbi të gjitha të kesh një makinë që ecën mirë. Ndërkohë, për ne italianët, Ferrari ka qenë gjithmonë një tabu”, rrëfen Trulli.

Trulli, sa i përket mënyrës së të ngarit të makinës, pak të lë të kuptosh se ka qenë një pilot i Formulës 1, apo një njeri që ka qejf shpejtësinë.

“Më vjen keq që shumë të rinj nuk kanë ku të shfryjnë dhe garojnë nëpër rrugë, por dua t’u kujtoj të gjithëve se, kushdo që do të tregojë se ka aftësitë për të pilotuar, apo që kërkon të ndiejë adrenalinën e shpejtësisë, këtë gjë mund ta bëjnë vetëm në pistë. Kurrë në rrugë, ku ka makina, ka njerëz dhe ku rrezikon jetën tënde dhe të të tjerëve”, shprehet Trulli.

Por, a i mungojnë Trullit garat?

“Jo, kam bërë shumë vite gara, mjafton të përmendësh që vetëm në Formulën 1 kam qenë për 15 vite, e për 15 të tjera në kategori të ndryshme. Pra, mund të them se garat nuk më mungojnë”, tha Trulli.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat