Bota e F1, në ankth. Niki Lauda është në gjendje kritike

Formula 1

Bota e F1, në ankth. Niki Lauda është në gjendje kritike

Më: 3 gusht 2018 Në ora: 09:09
Niki Lauda

Pas humbjes së Sergio Marchionnes, bota e Formulës 1 mban frymën mes ankthit edhe për një tjetër kampion, Niki Lauda.

Tri herë kampioni i botës dhe ish-pilot i Ferrarit është i shtruar në gjendje kritike për jetën në spitalin vjenez, “AKH”, ku i është nënshtruar një transplanti mushkërish për shkak të një sëmundjeje të rëndë.

Lajmin e ka bërë të ditur mbrëmjen e së enjtes vet mjekët e “AKH”-së, klinikës universitare të Vjenës. 69-vjeçari, themelues i kompanisë ajrore “Niki” dhe president nderi aktualisht i skuderisë së Mercedesit, ka kaluar gjithashtu edhe transplant veshkash.

“Transplanti është kryer me sukses nga Walter Klepetko, përgjegjës i divizionit të Kirurgjisë së kraharorit, si dhe Konrad Hotzenecker”, shkruan spitali në fjalë. “Kërkojmë mirëkuptimin tuaj për faktin se familja nuk do të japë asnjë deklaratë publike, ndaj kërkojmë të respektohet privatësia e familjes Lauda”.

Prej disa javësh, Lauda ka qenë i shtruar në spital, pasi ndërpreu para kohe pushimet me familjen në Ibiza. Lauda nuk ka qenë i pranishëm në dy garat e fundit të Formulës 1 te Mercedesi, më 22 korrik në Hockenheim dhe 29 korrik në Hungari.

Sipas të përjavshmes vjeneze, “Oesterreich”, padroni i kompanisë ajrore “Laudamotion”, gjatë pushimeve në Ibiza kishte nënvlerësuar simptomat e një gripi. Kur gjendja e tij u përkeqësua, tri herë kampioni i botës është kthyer në vendlindje me avionin e tij privat.

Pas disa ditësh në reanimacion, kushtet e Laudas u përmirësuan disi, deri në pikën që të mund të transferohej në një tjetër repart. Por, tashmë gjendja e tij është përkeqësuar sërish dhe iu nënshtrua ndërhyrjes delikate të transplantit të mushkërive. Në të kaluarën ai ka kryer edhe dy operacione të tjera për transplantin e veshkave.

 

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat