F1, Horner i mbyll derën Alonsos: Krijon kaos kudo që shkon

Formula 1

F1, Horner i mbyll derën Alonsos: Krijon kaos kudo që shkon

Më: 9 gusht 2018 Në ora: 21:53
Fernando Alonso

Daniel Ricciardo zyrtarizoi pak ditë më parë largimin e tij nga Red Bull për te Renault, por për t’u ulur sezonin e ardhshëm në njëvendëshen e lënë bosh prej tij nuk ka asnjë shans për Fernando Alonson.

Ai që e ka përjashtuar një mundësi të tillë është vet drejtuesi kryesor i skuderisë austriake, Christian Horner.

“Kam shumë respekt për Fernandon, është një pilot i madh, por mendoj se do të jetë shumë e vështirë ta shohim te Red Bulli”, është shprehur Horner. Arsyeja është diçka që bën më shumë zhurmë.

“Ai tenton të provokojë kaos kudo që shkon, ndaj nuk jam i sigurtë se do të ishte zgjedhja më e mirë për ne. Preferojmë më shumë të investojmë te pilotë të rinj, sesa të firmosim me dikë që është në fund të karrierës. Do ta studiojmë me kujdes situatën dhe do të shohim se ç’mund të bëjmë. Sa herë që kemi kërkuar pilotë, kemi goditur në shenjë dhe kemi pasur sukses. Mjafton të përmend Vettel, Ricciardo, Verstappen, Sainz apo Gasly…”, ka vijuar ai.

Horner ka analizuar edhe largimin e australianit Ricciardo te Renault.

“Mund të pendohet për vendimin e tij, – thotë drejtuesi i Red Bullit. – Ende nuk e kam pranuar, kam menduar gjithnjë se po bën shaka, por ai ishte i qartë dhe duhet ta respektojmë zgjedhjen e tij. Ndoshta ka arsyet e veta. Renault është një skuderi në rritje, por sërish është e vështirë ta kuptojmë. Do ta kuptoja shumë më lehtë nëse do të kishte zgjedhur Ferrarin apo Mercedesin, por është një rrezik i stërmadh ky që ka marrë në këtë fazë të karrierës së tij”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat