Vettel ishte kundër largimit të Raikkonen, Ferrari: Ja përse zgjodhëm Leclerc

Formula 1

Vettel ishte kundër largimit të Raikkonen, Ferrari: Ja përse zgjodhëm Leclerc

Më: 20 shtator 2018 Në ora: 19:54
Arrivabene

Fillimisht në pistën e Monzës (Itali) dhe më pas në atë të Marina Bay (Singapor), Ferrari nuk ka mundur të ruajë ritmin e Mercedes, që ka triumfuar dhe ka thelluar avantazhin si në renditjen për pilotë me Hamilton ashtu dhe në atë për konstruktorë. Edhe pse ka ende 6 gara dhe te Ferrari besojnë te përmbysja, drejtori sportiv Maurizio Arrivabene ka lënë mënjanë këtë sezon dhe ka folur për herë të parë për të ardhmen dhe të vendimi për të “divorcuar” me finlandezin Kimi Raikkonen, duke afruar të riun Charles Leclerc për sezonin 2019 të Formula 1.

“Kohët po ndryshojnë dhe më e rëndësishme është që të ruajmë AND-në tonë, duke parë edhe të ardhmen. Nëse sot sheh përbërjen e skuadrave të Formula 1 kupton se të rinjtë po afrohen e integrohen me shpejtësi. Red Bull mori Gasly, ndërkohë që ka edhe Verstappen. Mercedes konfirmoi dyshen e pilotëve me të cilën po triumfon, ndaj ky është një avantazh për të. Për ne e rëndësishme ishte të bënim këtë zgjedhje në mënyrë që të fitojmë diçka për të ardhmen, duke e rritur këtë talent që vjen nga Akademia jonë dhe për ta patur një kampion në të ardhmen”, tha Arrivabene.

Arrivabene konfirmon se Vettel kishte votuar për rikonfirmimin e Raikkonen, por duket se Ferrari kishte plane të tjera. “Sebastian është piloti ynë, jo një drejtues, me gjithë respektin që kemi për të si pilot. Detyra ime është të shoh situatën në përgjithësi, të flas me shefat e mi dhe t’u ofroj atyre një plan afatgjatë e fitues. Vendimin për Leclerc e kemi marrë në unanimitet dhe jo duke marrë mendimin e një piloti”, u shpreh Arrivabene.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat