Mercedes bën ligjin në Sochi - Bota Sot
Mercedes bën ligjin në Sochi

Formula 1

E premte, 19 tetor 2018

Mercedes bën ligjin në Sochi

Më: 30 shtator 2018 Në ora: 14:52
Mercedes bën ligjin në Sochi

Lewis Hamilton me Mercedes ka fituar garën e Çmimit të Madh të Rusisë në Formula 1, garë e zhvilluar në Sochi, duke korrur suksesin e tetë sezonal, fitore që e lejon të hedhë një hap më tej drejt rikonfirmimit kampion bote. Piloti britanik tashmë ka 50 pikë avantazh karshi ndjekësit më të afërt, gjermanit të Ferrarit, Sebastian Vettel, që sot u klasifikua në vendin e tretë, pa mundur të rivalizojë. Ndërkohë që i dyti u rendit finlandezi Valtteri Bottas, që e nisi garën nga “pole” por në mesin e saj hapi krahun pas urdhërave nga lart, duke luajtur mjaft mirë lojën e skuadrës. Një garë në përgjithësi e mërzitshme, ku Mercedes tregoi se është më superior se Ferrari, duke arritur një fitore të dyfishtë.

Gara nis pa surpriza, me pilotët e parë që mbrojnë vendet e tyre edhe pse Vettel tenton të parakalojë Hamilton në start, por pa sukses, ndërkohë që Bottas ka komandën. Në xhiron e 15-të nisin ndalesat e para në bokse, Vettel hyn i pari e një xhiro më vonë e ka radhën Hamilton dhe në momentin që britaniku i Mercedes del nga bokset parakalohet nga piloti i “kokëkuqes”. Por pas një xhiro Hamilton rimerr pozicionin, parakalon Vettel në pistë, ndërkohë që në krye të garës, pas xhiros së 20-të, ndodhet Max Verstappen me Red Bull.

Piloti holandez e nisi garën nga vendi i 19-të dhe me një strategji ndryshe nga pilotët e kreut shtyn ndërrimin e gomave dhe udhëheq garën për rreth 20 xhiro. Gara nuk dhuron shumë emocione, deri në momentin kur Bottas (i dyti) “hap krahun” pas urdhërit nga lart dhe lë Hamilton ta parakalojë, duke nisur detyrën e mburojës. Finlandezi mban nga pas Vettel, që ndodhet i katërti, ndërkohë që 4 pilotët e kreut kanë një distancë sigurie nga njëri-tjetri, prej 2-3 sekondash. Ndërsa pilotët e tjerë janë shumë larg, përfshi Raikkonen e Ricciardo.

10 xhiro nga fundi Verstappen bën ndalesën e parë dhe të vetme, duke lëshuar kreun (e mbyll garën në vendin e pestë, pas Raikkonen), aty ku ngjitet Hamilton i ndjekur nga Bottas e Vettel, që duelojnë për fitoren. Por piloti gjerman për asnjë moment nuk arrin të duelojë me Bottas, që bën mirë detyrën e “mbrojtësit” të Hamilton, ndaj dhe emocionet janë të pakta. Hamilton bën një garë të qetë e pa gabime dhe me ndihmën e shokut të skuadrës arriti të fitojë këtë garë. Ndërsa Vettel sheh se si veniten shanset për titull, pasi për asnjë moment nuk ishte në gjendje të duelonte me Mercedes. Gara e radhës, pas një jave në Japoni (pista e Suzuka).

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test