Hamilton feston në Abu Dhabi

Formula 1

Hamilton feston në Abu Dhabi

Më: 25 nëntor 2018 Në ora: 17:35
Hamilton fitoi Çmimin e Madh të Abu Dhabi dhe e mbyll Kampionatin Botëror të Formulës 1 me 11 fitore dhe me titullin e radhës në xhep.

Lewis Hamilton me Mercedes fitoi garën e Çmimit të Madh të Abu Dhabi në Formula 1, gara që mbylli Botërorin 2018, me pilotin britanik që bëri një paraqitje të shkëlqyer, duke e merituar këtë triumf. Ai la pas Sebastian Vettel me Ferrari, i dyti, ndërsa në podium u ngjit edhe Max Verstappen me Red Bull. Gara e zhvilluar në pistën e Yas Marina ishte me dy pamje, më e bukur në pjesën e parë, ku pati më shumë emocione e surpriza, ndërsa 25 xhirot e fundit ishin të mërzitshme. Pas tri pilotëve të parë, u rendit Daniel Ricciardo (i katërti) me makinën tjetër Red Bull e më pas Valtteri Bottas me Mercedes (i pesti). Në “top-10” u klasifikuan edhe Sainz (Renault), Leclerc (Sauber), Perez (Force India), Grosjean e Magnusen me Haas.

Vetëm i 11-ti Fernando Alonso me McLaren, në garën e tij të fundit në Formula 1, pas 17 vitesh karrierë në këtë sport (zgjidhet si piloti më i mirë i garës).  Gara nis me surpriza e panik, pas makina Renault e Nico Hulkenberg përmbyset pas një kontakti me Grosjean, por për fat pa pasojë për pilotin gjerman. Në pistë hyn makina e sigurisë, por i pafat është edhe piloti finlandez Kimi Raikkonen, që pas disa xhirosh tërhiqet, pasi makina e tij Ferrari ka probleme. Kjo ishte gara e fundit e Raikkonen me “kokëkuqen”, pasi sezonin tjetër do të garojë me Sauber.

Komisarët vendosin regjimin e makinës së sigurisë virtuale, moment kur Hamilton hyn në bokse për të ndërruar gomat, duke lëshuar kreun, aty ku qëndron Bottas e pas tij Vettel e Ricciardo. Piloti britanik dhuron spektakël me Verstappen pas rikthimit në pistë, por Hamilton nuk arrin të parakalojë talentin e ri holandez me Red Bull, që mbrohet mirë. Më pas gara është e qetë, pilotët nisin një e nga një ndërrimin e gomave, pa dhuruar parakalime, ndërkohë që i vetmi që vonon ndryshimin e gomave është Ricciardo, që i shtyn ato për shumë xhiro.

Për një moment krijohet frika se shiu do të jetë protagonist, duke qenë se në rrethinat e pistës së Yas Marina ka reshje, por jo aty ku garohet. 20 xhiro nga fundi, Hamilton merr sërish kreun ndjekur nga Vettel, që përfiton nga gabimet e Bottas, ndërkohë që në vendet 3-4 janë dy makinat Red Bull. Kjo situatë nuk ndryshon në xhirot e fundit, kur pilotët ruajnë pozicionet e tyre, me Hamilton që korrë suksesin e 11-të sezonal, duke e mbyllur kampionatin me fitore. Bashkë me të në podium edhe Vettel e Verstappen, që pritet të jenë protagonistë edhe Botërorin 2019.

Renditja e përgjithshme

1.Lewis Hamilton (Mercedes)  408

2.Sebastian Vettel (Ferrari)     320

3. Kimi Räikkönen (Ferrari)             251

4. Max Verstappen (Red Bull) 249

5. Valtteri Bottas (Mercedes)   247

6. Daniel Ricciardo (Red Bull) 170

7. Nico Hulkenberg (Renault)  69

8. Sergio Perez (Force India)  62

9. Kevin Magnussen (Haas)    56

10 Carlos Sainz (Renault)       53

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat