Shqiptarët në ankth - Bota Sot
Shqiptarët në ankth

Futboll

Shqiptarët në ankth

Më: 23 dhjetor 2018 Në ora: 18:21
Shqiptarët në ankth

Humbja ndaj Ergotelis që e eliminoi nga kupa ka futur zyrtarisht në krizë skuadrën e Arisit.

Ekipi i Mavrajt dhe Bashës është tashmë jashtë çdo pritshmërie në këtë sezon dhe fitoret radhazi në start ishin vetëm një shkëndijë që nuk zgjati shumë. Teksa po afron merkatoja e janarit, askush në ekipin grek nuk është më i sigurt për vazhdimësinë.

Këtë e ka deklaruar vetë presidenti dhe drejtuesit e tjerë të Arisit, që kanë bërë me dije se do të reagojnë pas kësaj sjelljeje të lojtarëve.

Si masa paraprake, presidenti dhe drejtuesit kanë vendosur që do të ketë gjoba. Eliminimi nga Kupa e Greqisë ndaj Ergotelis ka bërë që të vendosen masa për futbollistët. Në përfundim të takimit, ishte drejtori sportiv që shoqëroi trajnerin në dhomat e zhveshjeve, ku edhe u komunikua gjoba për të gjithë.

Jo vetëm kaq, por si masë paraprake ekstreme ishte që askush nuk do të lihej pushim për ditën e Krishtlindjeve. Në mediat greke është bërë me dije se një ndëshkim i tillë prek cilindo prej futbollistëve që të mos ketë mundësi të pushojë dhe festojë me familjen.

Basha e Mavraj në ajër. Situata e rëndë që është krijuar në klub bën që dy shqiptarët të vuajnë pjesën e tyre. Të afruar me shumë bujë në merkaton e verës për vetë eksperiencën ndërkombëtare që kanë, mbrojtësi dhe mesfushori i Arisit mund të rrezikojnë që të thërriten nga klubi për të zgjidhur kontratën. Drejtori sportiv Kostandin Diamantopulos e ka konsideruar si të papranueshme situatën e krijuar së fundmi në skuadër.

“Është turp. Duhet të reagojmë patjetër pas gjithçkaje që ka ndodhur deri tani. Do të ketë shumë të larguar dhe në janar do të thërriten që të zgjidhin kontratën”, është shprehur drejtori sportiv së fundmi.

Basha e Mavraj duket se kanë mbetur në mes të stuhisë, teksa i gjithë projekti ambicioz i Arisit duket se ka dështuar dhe tanimë rrezikohet që skuadra të shpërbëhet dhe të zgjedhë të largojë shumë futbollistë për t’u futur në merkaton dimërore për të rinovuar organikën, raportojnë mediat shqiptare.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...