Lenjani zgjedh mes Shqipërisë dhe Kosovës

Futboll

Lenjani zgjedh mes Shqipërisë dhe Kosovës

Më: 27 dhjetor 2018 Në ora: 15:07
Lenjani zgjedh mes Shqipërisë dhe Kosovës

Ermir Lenjani po i kalon poushimet dimërore në Prishtinë, kryeqytetin kosovar, por ka vajtur edhe në Kamenicë, nga i ka “rrënjët”.

Ai ishte i ftuar special në emisionin “Mysafiri i Mëngjesit” në “RTK”, ku ka folur për eksperiencën te skuadra e tij në Zvicër, por nuk ka lënë mënjanë as kombëtaren kuqezi.

Mes të tjerash, ai zbulon se te Sioni po bën rolin e sulmuesit kohët e fundit, një zgjedhje e trajnerit të tij turk, edhe pse flitet për diçka jo natyrale për të si futbollit, që ka provuar të luajë si mbrojtës dhe mesfushor krahu.

Lenjani thotë se “shkrihet fare” kur  viziton Kosovën, i karikon më së miri bateritë në vendilndje dhe kthehet më i fortë në Zvicër, në dispozicion të klubit ku militon. Ndër të tjera, futbollisti kuqezi ka nënvizuar:

“Në fillim patëm një trajner zviceran te Sioni, nuk patëm rezultate. Tani presidenti solli një trajner turk dhe na ka ecur shumë mire me të. Edhe mua ka ndërruar pozicionin në fushë. Tani po luaj si sulmues te Sioni. Në fakt, siç e dinë të gjithë, roli im natyral është në mbrojtje dhe mesfushë. Por, nuk po shënonim dot gola te Sioni, krijonim pak aksione. 

Unë isha më i shpejti në testet e skuadrës dhe trajneri më tha: “Je sulmuesi i dytë që tani, me Pajtim Kasamin. Tani po jap më shumë asiste. Në fillim e pata disi të vështirë. Gjatë ndeshjeve më binte në mendje të kthehesha mbrapa. Dhe kthehesha pa vetëdije, ndërsa trajneri më thoshte rri përpara, ku të kam thënë. Tani jam ambientuar me pozicionin e ri.

Në Zvicër ka rreth 20-25 futbollistë me origjinë shqiptare. Para ndeshjeve bëjmë shaka, komunikojmë me mesazhe me njëri-tjetrin. Ngacmohemi se kush do të fitojë. Ndihem mirë që u riktheva në Zvicër. Aty jam më rehat. Kam familjen dhe shokët aty. Në Francë ishte më e vështirë, sepse shumë raste isha vetëm. Kurse në Zvicër, i njoh të gjithë, jam shumë rehat.

Kombëtarja? Unë bëra 5 vite te Shqipëria. Tani, në ndeshjet e fundit, nuk kemi pasur shumë rezultate të mira, si me De Biasin. Panucci ka filozofinë e tij, si çdo trajner tjetër. Me të kam luajtur shumë pak, nuk më ka dhënë shumë shanse. Nuk e di tamam, a mund të luaj edhe në kombëtare në sulm. Trajneri ka thirrur shumë të rinj, më shumë se 50 lojtarë. Tani, duhet të pres shansin tim.

Shqipëria apo Kosova? Kur kam filluar si futbollist, ishte vetëm kombëtarja kuqezi. Të gjithë e kishim ëndërr të luanim aty. Tani, edhe pasi është krijuar ekipi i Kosovës, ne e ndiejmë veten të atij ekipi. Natyrisht, menjëherë interesohemi edhe si kanë dalë ndeshjet e Kosovës”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat