Rënia e Shqipërisë gjatë vitit 2018: Nga miqësoret zhgënjyese te dështimi në Ligën e Kombeve

Futboll

Rënia e Shqipërisë gjatë vitit 2018: Nga miqësoret zhgënjyese te dështimi në Ligën e Kombeve

Më: 1 janar 2019 Në ora: 11:17
Kombëtarja kuqezi

Tri gola të shënuara, plot 16 të pranuara. Ky është bilanci i Kombëtares së Shqipërisë për vitin 2018, i cili nuk ishte aspak i suksesshëm për kuqezinjtë. Përderisa viti 2017 kishte përfunduar me një fitore me rezultat 3-2 kundër Turqisë, skuadra e Christian Panuccit nuk arriti ta fillojë edhe vitin 2018 me fitore, duke e filluar kështu përkeqësimin e formës përgjatë vitit.

Kombëtarja kuqezi i zhvilloi gjithsej nëntë ndeshje përgjatë këtij viti, duke i humbur shumicën prej tyre, plot gjashtë. Ndërsa, nga tri ndeshjet e tjera, dy ishin fitore dhe vetëm një barazim, shkruan Gazeta Express.

Përderisa në vitin paraprak, Panucci dështoi ta kualifikonte Shqipërinë për turneun e Kupës së Botës që u zhvillua këtë verë në Rusi, kjo gjë u arsyetua për shkak të grupit të vështirë që e kishte Shqipëria. Në Grupin G, kuqezinjtë u radhitën në vendin e tretë, pas Spanjës dhe Italisë.

Pas këtij dështimi në vitin 2017, as viti 2018 nuk filloi më mirë për djelmoshat e Panuccit të cilët i humbën tri ndeshjet e para të vitit të ri, të cilat kishin karakter miqësor. Fillimisht, më 26 mars, në ndeshjen e parë të vitit 2018, Kombëtarja e Shqipërisë u mposht nga Norvegjia me rezultat 1-0.

As dy ndeshjet e radhës nuk shkuan më mirë për Panuccin, i cili pësoi disfatë edhe nga Kosova me rezultat 3-0 dhe nga Norvegjia me rezultat 4-1, duke i humbur kështu tri ndeshjet e para. Gjatë këtyre ndeshjeve, kuqezinjtë i pranuan tetë gola, ndërsa arritën ta shënojnë vetëm një, të cilën e shënoi Emanuele Ndoj.

Këtë vit filloi edhe gara inauguruese e UEFA-s, Liga e Kombeve, ku Shqipëria garoi në Grupin 1 të Ligës C. Përmes kësaj gare, Panucci synonte ta ngritë skuadrën në ligën B, si dhe ta siguronte një vend në play-offs për kualifikimet në Kampionatin Evropian.

Mirëpo, ëndrrat e trajnerit italian nuk u bënë realitet pasi që Shqipëria mbeti në pozitën e fundit të Grupit 1, ku garonte kundër Skocisë dhe Izraelit. Nga katër ndeshjet e zhvilluara në këtë garë, Shqipëria i humbi tri dhe e fitoi vetëm një, atë kundër Izraelit në shtëpi.

Ndeshja kundër Izraelit ishte sfida e parë për Shqipërinë në këtë garë dhe kuqezinjtë e filluan mirë pasi që arritën ta sigurojnë një fitore me rezultat 1-0, përmes golit të shënuar nga Taulant Xhaka.

Por, rrugëtimi në këtë garë për Shqipërinë nuk vazhdoi ashtu siç kishte filluar, pasi që në tri ndeshjet e radhës, djelmoshat e Panuccit pësuan humbje, duke i pranuar gjithsej tetë gola, dhe duke mos e shënuar as edhe një të vetme.

Rezultatet e këqija që kishte marrë Kombëtarja shqiptare në këtë garë kishte bërë që ajo ta rrezikonte rënien nga Liga C në Ligën D, ku gjatë këtij sezoni kishte garuar edhe Kosova. Mirëpo, për shkak se renditja e saj ishte më e mirë se ajo e Qipros, Shqipëria arriti t’i shpëtojë rënies dhe mbeti në Ligën C edhe për sezonin e ardhshëm të kësaj gare.

Në mes të katër xhirove të Ligës së Kombeve, Shqipëria e kishte zhvilluar një ndeshje miqësore me Kombëtaren e Jordanisë, e cila përfundoi me rezultat 0-0. Po me ndeshje miqësore, kuqezinjtë e përfunduan vitin 2018, me ndeshjen kundër Uellsit. Mirëpo, këtë radhë, skuadra e Panuccit arriti ta sigurojë një fitore me rezultat 1-0.

Paraqitjet dhe rezultatet e dobëta kishin bërë që të fillonin spekulimet për një shkarkim të mundshëm të Christian Panuccit nga pozita e trajnerit, pasi që edhe tifozët besonin se ai nuk po e bënte një punë edhe aq të mirë. Mirëpo, italiani vazhdon ta ketë mbështetjen e presidentit të Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Dukës.

Më 2 dhjetor u mbajt shorti për fazën kualifikuese për Kampionatin Evropian, EURO 2020, ku Shqipërisë i ra shorti të luante në Grupin H, kundër Francës, Islandës, Turqisë, Moldavisë dhe Andorrës. Franca është favorite për ta fituar grupin, mirëpo pasi që edhe vendi në pozitën e dytë kualifikohet në këtë garë, rivalet më të mëdha të Shqipërisë do të jenë Islanda dhe Turqia.

26 mars 2018 – Ndeshje miqësore: Shqipëria 0-1 Norvegjia

29 maj 2018 – Ndeshje miqësore: Shqipëria 0-3 Kosova

3 qershor 2018 – Ndeshje miqësore: Shqipëria 1-4 Ukraina

7 shtator 2018 – Liga e Kombeve: Shqipëria 1-0 Izraeli

10 shtator 2018 – Liga e Kombeve: Skocia 2-0 Shqipëria

10 tetor 2018 – Ndeshje miqësore: Shqipëria 0-0 Jordania

14 tetor 2018 – Liga e Kombeve: Izraeli 2-0 Shqipëria

17 nëntor 2018 – Liga e Kombeve: Shqipëria 0-4 Skocia

20 nëntor 2018 – Ndeshje miqësore: Shqipëria 1-0 Uellsi 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat