Mavraj: Në Greqi më përbaltën emrin

Futboll

Mavraj: Në Greqi më përbaltën emrin

Më: 3 janar 2019 Në ora: 12:31
Mavraj: Në Greqi më përbaltën emrin

Mbrojtësi i Kombëtares, Mërgim Mavraj, i dha fund aventurës në futbollin grek pas vetëm disa muajsh. 32-vjeçari e mbylli me Arisin e Selanikut dhe tashmë do të nisë një aventurë të re me Ingloshtadin në Ligën e Dytë gjermane. Shqiptari do të firmosë me skuadrën e re për 1 vit e gjysmë, por me opsion për edhe një tjetër vit. 

300 mijë euro ka paguar klubi gjerman për shërbimet e Mavrajt. Kapiteni i Kombëtares ka zbuluar edhe motivin e “divorcit” me verdhezinjtë.

“Anulova kontratën me Aris dhe do të firmos me skuadrën e Ingolshtad, në Gjermani. Do të bashkohem me klubin në Spanjë më pas për fazën përgatitore. Arsyeja pse largohem është sepse e kam ndjerë veten shumë të mosrespektuar. U folën shumë gjëra, por asnjëherë për futboll dhe për mua si futbollist. U fol për gjëra që nuk kanë të bëjnë me futbollin dhe paraqitjet në fushë, por thashetheme.

Më rënduan si profesionist dhe si lojtar, pasi kur vendosa të transferohem në Greqi e bëra për të ndihmuar një klub që besoi te unë. Të gjitha më pas e vështirësuan situatën. U ballafaqova me gjëra jo serioze. Mungoi mirësjellja edhe kundrejt punës time. Këto janë shkaqet që nuk më lejuan të jap më të mirën.

Nuk mund të them se janë të pakënaqur për mua, pasi më kanë vlerësuar, por rryma të ndryshme kanë ndikuar. Këto gjëra, si futbollist, nuk i pranoj dot. Të prishet emri dhe vlerat e mia si lojtar. Nuk i shes dhe nuk i ndërroj vlerat për askënd. Nuk është komunikuar asnjëherë nga klubi që do të më largojnë. Kjo është një arsye e madhe që u mërzita, pasi gazetat e morën vesh përpara të gjithëve.

Madje, në një bisedë që kam pasur me trajnerin më tha se më shpejt iki unë se sa ti si lojtar, por në anën tjetër luhej pas krahëve. U mërzita shumë që emri im u bë si një lodër edhe në media… Këtu lindi ideja për t’u larguar dhe erdhi oferta nga Gjermania”, u shpreh Mavraj për “Telesport”.

32-vjeçari nuk nguroi të zbulonte edhe oferat e mbërritura, teksa tregoi edhe arsyen pse vendosi të rikthehej në futbollin gjerman.

“Kisha oferta të ndryshme, edhe nga Emiratet, por profesionalizmi dhe serioziteti gjerman janë pikat e forta që më kanë bindur gjithmonë, ndaj edhe zgjodha Ingolshtadin. Ndoshta duket si kthim mbrapa, por nuk është kështu.

Më duket e njëjta histori me Hamburg, kur vështirësitë ishin të mëdha, por mundësitë ekonomike nuk mungonin. Kështu e shoh edhe Ingolshtad, si një trampolinë që, pse jo, të ngjitem me ata drejt elitës në Bundesligë. Objektivi është që të jap më të mirën për të siguruar mbijetesën këtë sezon dhe besoj se mund t’ia dalim, pasi edhe te Hamburgu e arritëm atë gjë. Nuk kam dëshirë të them asnjë fjalë të keqe për Arisin, tifozët dhe futbollin grek. Por, vlerat e mia personale dhe si lojtar nuk lejoj që të mi përbaltë askush në botë, përfundoi kapiteni i Kombëtares.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat