Cana tregon se kush ia prishi ëndrrën

Futboll

Cana tregon se kush ia prishi ëndrrën

Më: 3 janar 2019 Në ora: 12:56
Cana tregon se kush ia prishi ëndrrën

Kur ke luajtur për shumë vite futboll, sigurisht që ke edhe shumë për të treguar. Ngjarje, ndodhi, histori, anekdota dhe histori të ndryshme merkatoje. Lorik Cana, lideri i shqiptarëve dhe tifozëve, që është tërhequr nga futbolli dhe që sot studion për drejtues, i ftuar në emisionin “Mos i fol babagjyshit” në “Ora News”, ka treguar disa detaje nga karriera e tij kur ishte i ri. Mes tyre bie në sy sidomos historia e interesimit të Arsenalit, që sot ka në radhët e tij një shqiptar, por që përfaqëson Zvicrën (Granit Xhaka). Ishte koha kur Cana luante te PSG-ja.

"Bëmë një turne në Zvicër dhe mes këtyre skuadrash ishte dhe Arsenali, PSG-ja dhe disa skuadra të tjera. Më erdhi ftesa nga Arsenali për të bërë një provë, kontretisht nga Arsen Wengeri. Isha akoma 16-vjeç dhe më kujtohet që u bëmë të gjithë gati. Ishte një mundësi e artë.

Shkuam drejt Ambasadës për të marrë vizën. E shikoja si mundësinë e fundit për të pasur një karrierë futbolli, sepse kishim marrë shkresën që do të riktheheshim në Kosovë. Kur nuk ma dhanë vizën ishte shumë e rëndë. Sikur të mbyllet një derë".

Cana rrëfen gjithashtu edhe aventurën te PSG, kur kishte të bënte me shumë yje në ekip. "Në moshën 18-vjeçarë kam filluar të stërvitem me ekipin e parë të PSG-së. Në atë kohë Parisi kishte yje botërore. Një nga këta ishte dhe Ronaldinjo. Sapo kishte fituar kampionatin Botëror.

Më kujtohet herën e parë, kur shkova në stërvitje, i tregova dhe emrin tim. Nuk e mbajti mend dhe më thërriste Sedrik. Më vonë, e kuptova që kisha fituar besimin e tyre, kur Ronaldinjo filloi të ma thërriste saktë emrin tim. Ishte një eksperiencë e jashtëzakonshme”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat