Futbolli në majat më të larta

Futboll

Futbolli në majat më të larta

Më: 7 janar 2019 Në ora: 13:10
Agim Ademi

Sporti i futbollit këtë vit ishte në kulmin e tij, pas disa sukseseve të mëdha të cilat u arritën për herë të parë.

Ndeshjet e mira të Kombëtares A, sukseset e arritura me gjeneratat e reja, si dhe ndeshjet e Superligës së Kosovës e karakterizuan këtë vit, si një ndër vitet më të suksesshëm të futbollit Kosovar.

Mirëpo gjatë këtij viti ndodhi edhe humbja e të madhit, ish-kryetarit të Federatës së Kosovës, Fadil Vokrri, i cili humbi jetën në fillim të muajit qershor, pas një sulmi kardiak të cilin e pësoi në mëngjesin e hershëm.

Vokrri ishte ai i cili bëri punën më të madhe që futbolli i Kosovës të korrte këto suksese, mirëpo, ai nuk arriti t’i shijojë sukseset e arritura, edhe pse të gjitha të arriturat iu dedikuan atij.

Pas vdekjes së Vokrrit, puna duhej të vazhdonte, ekipi Kombëtar kishte ndeshjet e planifikuar në kuadër të Ligës së Kombeve, ku lojtarët ishin të fokusuar që të fitonin dhe këtë ta bënin për nderin dhe krenarinë e Fadil Vokrrit.

Ishte pikërisht Agim Ademi, nënkryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, ai që morri postin e lënë nga Fadil Vokrri. Në kuvendin e punës të organizuar nga FFK, Agim Ademi nuk kishte kundërkandidat dhe kështu me shumicë votash arriti të bëhej kryetari i ri i FFK-së.

U vendos që stadiumi në Prishtinë, i cili ishte në prag të përfundimit të punimeve sa ishte gjallë ikona e Futbollit Kosovar, Fadil Vokrri të mbante emrin e tij, dhe që nga ky vendim ekipi kombëtar i Kosovës nuk ka dalur i mposhtur nga ky stadium.

Ndeshjen e parë të cilën Kosova e zhvilloi në këtë stadium ishte ndeshja kundër Ishujve Faroe, ku lojtarët e Kosovës arritën të fitojnë dhe së bashku me 13 mijë shikues t’ia dedikonin fitoren kujt tjetër përpos të madhit  Fadil Vokrrit.

Superliga e Kosovës vazhdoi me ndeshjet e planifikuar, ku tanimë ka perënduar gjysmësezoni dhe lider i Superligës mbetet Prishtina e ndjekur nga Feronikeli dhe Llapi.    

Kryetari i tanishëm i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, e cilësoi vitin 2018, si viti i krenarisë dhe i dhimbjes.

Ademi: Viti 2018 përshkruhet me dy fjalë dhimbje dhe krenari

“Viti 2018 për Federatën e Futbollit të Kosovës mund ta përmblidhi me dy fjalë dhimbje dhe krenari. Dhimbje sepse e kemi humbur njeriun  më të shquar dhe legjendën tonë të futbollit, Fadil Vokrri, ndërsa krenarin që pas humbjes së tij u kthye dhe arriti këmba e mbarë e rezultateve të ekipit kombëtar dhe të gjithave ekipeve zingjirë, siç është edhe kualifikimi i grupmoshave U17, U21 me ndeshje shumë të mirë, U19 po ashtu me ndeshje shumë të mirë dhe U19 femrat të cilat vetëm për dy gola mbetën pa u kualifikuar, kështu që edhe një Ligë, po flas për IPKO Superligën e cila ka qenë jashtëzakonisht e mirë sivjet. Klubet të cilat janë riorganizuar, janë vetëdijesuar dhe një organizim perfekt nga thuajse të gjitha dhe një garë shumë kompetitive dhe një garë shumë të qetë dhe një garë shumë dinjitoze. Këto do të ishin mund të them definicionet e tonë për Federatën e Futbollit duke marrë parasysh konsol idimin e federatës sonë, të organeve tona të sektorëve me punë të jashtëzakonshme të cilën e kanë bërë në këtë vit”, pohoi fillimisht i pari i FFK-së.

Ndërsa sa i përket pritshmërive për vitin e ardhshëm, Ademi u shpreh optimist duke pohuar se besojnë në realizimin e objektivave të tyre dhe objektivave të cilat kanë qenë edhe të ish-kryetarit, Fadil Vokrri.

Ademi: Viti 2019 do të jetë vit i sukseseve të mëdha

“Pritshmëritë realisht janë të mëdha, sidomos në garat ndërkombëtare të cilat do t’i kemi. Ju e dini në shortin ku jemi në një grup koxha të fortë, me Anglinë, Çekinë, Bullgarinë, Malin e Zi dhe ne, ku faktikisht shpresojmë në formën tonë, në djemtë tonë, në punën tonë dhe edhe pse ata të gjitha janë ekipet favorite apo me traditë më të madha, ne e kërkojmë në këtë rast kualifikimin për vetfaktin që ne jemi në një formë të mirë, me një ekip të kompletuar tanimë dhe besoj në këta djem në grupin tonë, besoj në realizimin e objektivave tonë dhe objektivave të cilat kanë qenë edhe të ish-presidentit Vokrri”, tha ai.

Kombëtarja A e Kosovës ka dy shanse për t’u kualifikuar në evropian. Njëra mundësi është të kualifikohet nga Liga e Kombeve, ku dihet se Kosova do të ndeshet në gjysmefinale me Maqedoninë dhe tjetra është nga grupi në të cilën gjendet Kosova, ku ka rivalë jashtëzakonisht të fortë si Anglia, Çekia e Mali i Zi.

Federata e Futbollit të Kosovës, pak ditë më parë në përmbyllje të vitit 2018, ka shpallur edhe laureatët e këtij viti. Dy çmimet kryesore i fituan Arber Zeneli, i cili u shpall futbollisti më i mirë i vitit, ndërkohë që futbollisti më i mirë i Superligës së Kosovës në futboll i zgjedhur nga gazetarët sportiv u shpall Xhevdet Shabani.

Kosova e mbylli vitin me ngritjen më të madhe në renditjen e FIFA-s. Faqja zyrtare e FIFA-s ka publikuar disa ditë më parë renditjen përfundimtare të kombëtareve për vitin 2018. Në artikullin e saj, FIFA.com, e kishte theksuar faktin se Kombëtarja e Kosovës ka shënuar ngritjen më të madhe gjatë këtij viti. Kosova është ngritur për 46 pozita brenda një viti dhe aktualisht ndodhet e 131-ta. Kjo duke iu falënderuar ecurisë mbresëlënëse në vitin 2018, në ndeshje miqësore e zyrtare, ku arriti të kualifikohet në gjysmëfinale të Ligës së Kombeve.

Duke pasur parasysh faktin se gjatë muajit të fundit të vitit që lamë pas, nuk ka pasur ndeshje të kombëtareve, pozita e Kosovës ka mbetur e pandryshuar ku përparoi për 6 vende.

“Dardanët” nuk kanë pësuar humbje që nga 13 nëntori i vitit 2017, kur kombëtarja jonë nisi serinë pozitive me fitoren 4-3 kundër Letonisë në miqësoren e zhvilluar në stadiumin “Adem Jashari”, në Mitrovicë, ndeshje në të cilën kombëtaren e kishte drejtuar Muharrem Sahiti.

Ndërkohë, nga marsi i këtij viti drejtimin e ekipit kombëtar e ka marrë Bernard Challandes, nën drejtimin e të cilit Kosova ka regjistruar shtatë fitore dhe dy barazime.

Ky vit do të jetë një vit mjaftë interesant dhe produktiv, sidomos në Futboll, ku priten suksese të mëdha, mirëpo për gjithçka duhet të pritet dhe nëse këto suksese arrihen do të dedikohen për legjendën tonë, Fadil Vokrri.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat