Aksioni i Llapit për titullin e kampionit të Kosovës

Futboll

Aksioni i Llapit për titullin e kampionit të Kosovës

Më: 7 janar 2019 Në ora: 15:21
Llapjanët

Llapi e ka hapur “kuletën” në tregun e futbollistëve. Do ta kërkojë titullin në sezonin pranveror ndaj Prishtinës dhe Feronikelit

Llapi po tregohet shumë aktiv në afatin kalimtar të janarit që posa ka filluar. Kandidati për titull të kampionit në Ipko Superligën e Kosovës në futboll po e i bënë disa reforma në skuadër dhe ndryshimet po mundohet t’i bëjë sa më herët në mënyrë që ta shfrytëzojë kohën e mbetur për komponim deri te fillimi i sezonit pranveror që nis në shkurt.

Llapjanët kanë konfirmuar ndarjen me dy futbollistë: Dardan Jasharin dhe Alban Rexhepin. Të dy ata largohen nga stadiumi “Zahir Pajaziti” pas ardhjes së disa përforcimeve interesante.  Më herët nga ky ekip u pati larguar edhe Shend Kelmendi.  

Derisa bardhekaltrit konfirmuan ndarjen me Jasharin e Rexhepin, njëkohësisht e zyrtarizuan ardhjen e Miran Maksutit. Ky i fundit së fundmi ka luajtur për Renovën e Maqedonisë. Para tij Llapi i ka sjell në Podujevë edhe Rron Statovcin i cili ishte pjesë e Partizanit të Tiranës. Po ashtu këtij klubi i është bashkuar edhe Elvis Preniçi, i ardhur nga Lushnja.

I pari që ka ardhur në Llap në këtë dimër është Flamur Bajrami i cili më parë ka qenë pjesë e 2 Korrikut, Tiranës dhe Vëllaznimit.

Skuadra e drejtuar nga familja Batatina në pranverë do të udhëhiqet nga trajneri shqiptar prej Maqedonisë, Djengis Redjepi, i cili ka punuar si ndihmëstrajner në Sivasspor dhe Kombëtaren Maqedonase.

Media  raporton se krejt këto ndryshime po ndodhin në Llap me qëllim që në sezonin pranveror skuadra të konkurojë seriozisht për titullin e kampionit pasi do të startojë me vetëm pesë pikë më pak sesa Prishtina dhe katër më pak sesa Feronikeli, të cilat konsiderohen favoritë kryesorë.

Llapi është konsideruar kandidat serioz për titull që nga fillimi i kampionatit. Mirëpo, disa probleme të brendshme në klub kishin ndikuar në stangnim. Tani situata në stadiumin e Podujevës duket e stabilizuar.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat