Organizimi që nderon dhe ofendon!

Futboll

Organizimi që nderon dhe ofendon!

Nga: Jakup Kasapolli Më: 8 janar 2019 Në ora: 10:37
Pamje nga një atmosferë

Thonë “fundi zbukuron veprën” dhe nga ky parim dhe kjo rregull fundi i çdo viti është edhe përmbledhje apo rekapitullim i të arriturave në shumë lëmi, pra edhe në sport, te ne, dhe si kudo në botën e civilizuar kjo traditë vazhdon me vite e dekada edhe në Pejë pa u ndalë, si shprehje e respektit që institucionet zyrtare i bëjnë këtyre ambasadorëve të qytetit, shtetit e kombit. Por duhet pranuar një fakt, se Peja në disa vite të fundit, për dallim nga meset dhe qytetet tjera të Kosovës dhe gjithë hapësirave shqiptare, është shndërruar në “meken” e namit, lavdit e të suksesit (falë kryesisht xhudos) sportit pejan e kosovar por edhe atij evropian e botëror. Se këndejmi kjo ngjarje që nderon dhe respekton këtë komunitet një herë në vit, meriton me shumë respekt, nga ne, nga shoqëria, nga institucionet! Shtrohet pyetja pse? Organizatori (DKRS) i këtij manifestimi, (për çudi) edhe këtë vit (si dy vite me përpara)  këtë ngjarje e organizoi në lokal tejet të kufizuar, e të ngushtë në hapësirë.

Që në fillim, kur lexon ftesën e dërguar nga institucioni, të befason në paralajmërim : ”Ju lutemi që për shkak të hapësirës së kufizuar, klubi juaj të përcaktohet për dy persona…..” e kështu me radhë! Nga ky fakt, por edhe nga përvoja e viteve që thamë më lartë, shumë nga përfaqësues të klubeve, figurave sportive as që u pan aty, sepse mbi 90% ose mbi dyzet emra e subjekte sportive të shpërblyera duhej të ishin aty, e hapësirë tjetër për më shumë persona as që bëhej fjalë!  Por as ata pak pjesëmarrës tjerë (disa dhjetëra dhe mysafirë të larte si kryetari i KOK-ut Besim Hasani që ishin të ftuar), nuk panë as dëgjuan mirë (zërimi ishte tejet i dobët, ndriçimi gjithashtu) se kush dhe për çka u vlerësua apo shpërbly! Sigurisht se, në këto rrethana çdo pjesëmarrës dëshiron të shoh përsëafërmi (live) sportistët e namit e të suksesit, Norën e Akilin e të tjerët, sepse yjet tjerë, (sigurisht me arsye) nuk ishin prezent (Majlinda, Distria, Toni…).

Dhe të imponohen pyetje: a thu nuk paska mbet asnjë hapësirë tjetër (nuk po mendoj se duhet patjetër si disa vite më herët të organizohet në galla sallat e “hotel Dukagjinit”), në Pejë apo në rrethinën e afërt, ku ky komunitet do të ndihej me komod dhe më i relaksuar në këtë natë, pse jo edhe me pak muzikë!? Apo tjetra: a thua KK Pejë edhe në këtë natë të vetme të sportit dhe respektit për këtë komunitet ka mendu të kursej mjete materiale apo çka?! Nëse është kjo, atëherë KK Peja ka shumë pozicione të shpenzimeve që mund të kursej pa asnjë problem, si dreka e darka, karburant për vetura, telefona, mëditjet e udhëtimet, laptopet etj.

Këto janë shpenzime përgjatë 365 ditëve apo 12 muajve, të vitit!  Ndërsa këtu bëhet fjalë vetëm për një natë apo jo? Po, siç tha një bashkëbisedues imi: ”edhe në kohën kur Serbia na ndalonte dhe pengonte aktivitetin 1991/98, këto organizime bëheshin në hapësirë më solide, komode e pa kufizime. Në fund shtrohet pyetja: a pyetet dikush prej komunitetit sportiv për këto skenarë, mendime e vendime, se nga kush ato vijnë dhe sa ndikim në këtë “marifet” ka ai komisioni (këshilli) profesional, që kryen “argatin”  e Zotit të shtëpisë, por qe shërbimet e tyre në instancën e fundit si duket nuk paraqesin ndonjë “obligim’ moral po as profesional për ata që përfaqësojnë institucionin!

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat