Sulmuesi që shkëlqeu si mbrojtës i djathtë!

Futboll

Sulmuesi që shkëlqeu si mbrojtës i djathtë!

Më: 8 janar 2019 Në ora: 10:41
Përparim Livoreka

Kampionit në fuqi, Dritës nga Gjilani, nuk i shkoi ashtu si duhet në stinorin vjeshtor, duke përfunduar në vend të gjashtë me 23 pikë, - 17 pikë nga kampioni vjeshtor Prishtina. Drita megjithatë nuk dorëzohet, por do të luftojë derisa të ekzistojnë gjasat për kreun e tabelës.

Përparim Livoreka, prej futbollistëve më të mirë, tha se po ndjehet shumë mirë në radhët e kampionit në fuqi dhe pretendon që në pranverë të janë edhe më të mirë se sa në vjeshtë, kur në disa sfida iu mungoi edhe fati sportiv. Një veçori interesante është se trajneri Shpëtim Duro Livorekës ia ka ndërruar edhe pozicionin, nga sulmuesi në repartin e mbrojtjes. Megjithatë Livoreka thotë se ndihet mirë dhe beson se do të jetë edhe më efektiv në pjesën e dytë të kampionatit.

Livoreka mburret me sukseset e Dritës, sidomos në garat evropiane, sepse sipas tij, me skuadrat që u ballafaquan, si me Malmon dhe Dudelangen, ishin shumë të forta dhe të cilat luajtën në fazën e grupeve të Europa League. Synimi i Livorekës është që në pranverë të jap maksimumin, por me Dritën synon të fitojnë sa më shumë pikë dhe sipas tij, nuk e kanë ndërmend të dorëzohen edhe në luftë për mbrojtjen e titullit të kampionit, ani se janë 17 pikë larg kampionit vjeshtor, Prishtinës. Livoreka shprehet se fokusin e kanë edhe te Kupa e Kosovës.

  “Bota sot”: Përparim, përveç futbollit a punoni?

Përparim Livoreka: Jo!

“Bota sot”: Si e sheh kampionatin në përgjithësi, me ngritje apo duhet ende shumë punë?

Përparim Livoreka: Mendoj që ka ngritje por duhet ende punë, punë dhe punë që të përmirësohemi në të gjitha aspektet, por besoj që ka ngritje! Mendoj që mundemi edhe më shumë sepse ju jeni vet dëshmitar që Drita në kampionatin e kaluar ishte skuadër e fortë edhe për skuadrat evropiane, që ata sot janë në grupe të Europa League, kjo tregon më së miri që ne po ngritemi! Dhe mendoj që është diçka e mirë!

“Bota sot”: Keni përvojë të mirë si futbollist, a mund të jetohet nga të ardhurat e këtij sporti?

Përparim Livoreka: Mendoj që tani e tutje mundet sepse gjërat kanë ndryshuar, sepse disa klube tani janë të rregullta me buxhetin e tyre dhe me korrektësinë ndaj futbollistëve, në këtë rast Drita është super korrekt por edhe shumë klube tjera, që tash paga e futbollistit nuk është në dyshim, besoj që janë përmirësuar dhe nëse kjo do të jetë në vazhdimësi e mirë, besoj që mundet, sidomos këto gjeneratat që janë më të ri, shpresoj se do të ketë të ardhme shumë të mirë, nëse vazhdojmë të ngritemi edhe më shumë!

“Bota sot”: Drita ka ngec shumë larg kreut, për çfarë lufton në pranverë?

Përparim Livoreka: Jemi mbrapa por jo edhe të  dorëzuar, do të luftojmë deri në fund! Por prioritet i yni është kupa dhe aty jemi të fokusuar! Por jemi edhe të përqendruar maksimalisht edhe në kampionat!

“Bota sot”: A mendoni se pjesëmarrja në garat evropiane e ka rritur edhe më shumë rivalitetin?

Përparim Livoreka: Po, mendoj që Evropa ka rritur rivalitetin, arsyet janë sepse futbollistët dhe skuadrat do të kenë përvojë ndërkombëtare, përfitime jo vetëm në të holla, pse edhe mos të transferohet ndonjë futbollist që ekipet të përfitojnë nga ato transfere. Mendoj që kjo na hap rrugën gjithë futbollistëve që të punojnë dhe të vlerësohen që tani të luajnë në klube më të mëdha evropiane! Rivaliteti është aq i fortë saqë ngrit cilësinë, organizimin dhe përqendrimin e skuadrave!

“Bota sot”: Cilat skuadra i sheh në luftë për titullin e kampionit?

Përparim Livoreka: Mendoj që Prishtina, Feronikeli dhe Llapi janë kandidatë për ta fituar, por mund të them se është herët dhe mund të futet edhe ndonjë skuadër tjetër. Mendoj që kampionati do të ketë edhe befasi, mos të harrojmë se befasitë ndodhin gjithmonë.

“Bota sot”: Çka premtoni si sulmues dhe a mendoni se do të jeni në formën më të mirë?

Përparim Livoreka: Me ardhjen e Duros në krye kam luajtur shumë ndeshje si mbrojtës i djathtë, me shumë përgjegjësi dhe mjaft mirë! 5 apo 6 ndeshje kam luajtur startues në at pozicion, por mendoj që do të jap maksimumin si gjithmonë! Jam i gatshëm gjithherë!

“Bota sot”: Si iu shkon me trajnerin Shpëtim Duro?

Përparim Livoreka: Me të vërtet Duro është një trajner shumë i mirë, di si ta menaxhon situatën, por edhe strategjia e tij është e lart dhe mendoj që ka bërë punë të mirë, vërtet di se si të fiton ndeshjet!

“Bota sot”: Së fundi si mbrojtës, sa keni mundur të përshtateni nga sulmuesi në mbrojtës?

Përparim Livoreka: Po, nuk e kam problem sepse edhe kur kam luajtur sulmues, kam pas shumë angazhim edhe në mbrojtje vetëm se këtu është një pozicion që po më pëlqen shumë dhe mendoj që do të jap më shumë! Jam i sigurt që edhe gola do të shënoj nga ky pozicion.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat