Harry Kane e nis vitin me rekord historik në Angli

Futboll

Harry Kane e nis vitin me rekord historik në Angli

Më: 8 janar 2019 Në ora: 18:18
Harry Kane

Sulmuesi i Tottenham, Harry Kane është ndër sulmuesit më efikas në vitet e fundit, dhe rendimenti i tij ka vijuar të jetë i njëjtë sezon pas sezoni. I njohur me nofkën “Uragani”, me 1 janar 2019 Kane ka hyrë në histori të Premier League me golin kundër Cardiff.

Vetëm 25 vjeç dhe anglezi ia ka dalë të shënojë kundër të gjithë ekipeve të Premier League. Debutoi në këtë ligë në moshën 19-vjeçare, por golin e tij të parë e shënoi më 7 prill 2014, kundër Sunderland. Që atëherë Kane ka shënuar kundër 28 skuadrave që kanë luajtur në Premier League, duke u bërë lojtari i vetëm që e arrin këtë shifër.

Aktualisht londinezi ka mesatare prej 0.55 gola për ndeshje, ndërsa në karrierën e tij në klube, kombëtare dhe ekipet e moshave ka shënuar 400 gola. Me Tottenham ka realizuar plot 159 gola në 242 ndeshje. Në vitin 2016 u shpall golashënuesi më i mirë me 25 gola, ndërsa në vitin 2017 shënoi 29 herë.

Këtë sezon mban vendin e parë me Aubameyang me nga 14 realizime. Ndërkohë në Premier League Kane ka shënuar 122 gola duke u renditur në vend të 17 në bazë të lojtarëve që kanë shënuar më shumë në të gjitha kohërat. Ai është një hap larg legjendave si Dwight Yorke dhe Steven Gerrard.


Nëse rivali më i ndëshkuar është Leicester (11 gola), lista e klubeve më të preferuara përfshin edhe Everton dhe Stoke (9), Arsenal (8) përveç 7 golave të shënuar kundër Bournemouth, Southampton, West Bromwich dhe West Ham. Një prirje që nuk ka precedentë në historinë e Premier League, përqindja e tij e paparë (100%) e paraprin atë drejt listës së bombarduesve të përjetshëm.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat