Sulmuesi ganez largohet nga Teuta - Bota Sot
Sulmuesi ganez largohet nga Teuta

Futboll

Sulmuesi ganez largohet nga Teuta

Më: 11 janar 2019 Në ora: 10:25
Sulmuesi ganez largohet nga Teuta

Golashënuesi më i mirë i Kategorisë Superiore Amadu Latif do të transferohet në Bjellorusi te klubi Shakhtyor Soligorsk. Sulmuesi ganez i Teutës i cili e mbylli fazën e parë të kampionatit shqiptar me 9 gola do të vazhdojë kështu karrierën e tij pikërisht te klubi ku luan edhe ish-sulmuesi i përfaqësueses kuqezi Elis Bakaj, që e përfundoi gjithashtu kampionatin bjellorus si një ndër golashënuesit më të mirë, po me 9 gola gjithsej.

Bëhet fjalë për një rikthim të 25-vjecarit në Bjellorusi, pasi Amadu Latif ka luajtur edhe më herët në këtë vend me ekipin Dinamo Brest, më saktë gjatë vitit 2016, pra pikërisht sezonin përpara se të transferohej te klubi durrsak. Siç dihet futbolli bjellorus vazhdon të dominohet nga Bate Borisov, klub që ka fituar radhazi edhe 13 kampionatet e fundit në këtë vend, gjithsesi 6 herë në 9 edicionet e fundit Shakhtyor Soligorsk e ka përfunduar kampionatin në vendin e dytë.

Ndryshe nga pjesa më e madhe e Evropës kampionati bjellorus i zhvillon ndesdhjet gjatë periudhës prill – dhjetor dhe në edicionin e fundit që u mbyll në ditët e para të muajit dhjetor klubi nga Soligorsku u shpall nënkampion, ndonëse bëhet fjalë për një diferencë të madhe prej 9 pikësh nga ekipi nga Borisovi, gjithsesi falë këtij rezultati Shakhtyor i Soligorsk-ut dhe Dinamo e Minskut do të përfaqësojnë sezonin e ardhshëm 2019-20 në Europa League.

Përveçse golashënuesi më i mirë i fazës së parë në Kategorinë Superiore Amadu Latif ishte gjithashtu edhe një ndër futbollistët më të mirë të kampionatit shqiptar, e natyrisht falë kontributit të tij “djemtë e detit” e mbyllën pjesën e parë të kampionatit me plot 11 ndeshje radhazi pa humbje, ecuri që e pozicionoi ekipin e Teutës në vendin e tretë në tabelën e renditjes, me vetëm katër pikë më pak se sa Partizani kryesues.

Sigurisht që trajneri Bledi Shkëmbi humbet një lojtar shumë të rëndësishëm në fazën sulmuese, sidoqoftë ndonëse nuk bëhen akoma të ditur detajet e marrëveshjes, është e kuptueshme që nga transferimi i Amadu Latif në Bjellorusi klubi durrsak të përfitojë një shumë të konsiderueshme, sepse Shakhtyor Soligorsk përfaqëson klubin e tretë më të pasur në Bjellorusi, pas ekipeve Bate Borisov dhe Dinamo Brest.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...