Reshjet e borës shkaktojnë telashe për klubet!

Futboll

Reshjet e borës shkaktojnë telashe për klubet!

Nga: Kemajl Goca Më: 12 janar 2019 Në ora: 10:13
KF Vëllaznimi

Debate

Janari si gjithmonë është muaj me reshje të borës por edhe i acarit!  Ditëve të fundit reshjet e borës kanë ndikuar që disa prej klubeve përgatitjet t’i zhvillojnë në ambientet e mbyllura, ku kushtet janë më të përshtatshme! Klubet e elitës së futbollit përgatiten për pjesën e dytë të kampionatit, me synime që t’i gjejë sa më të përgatitur, por edhe disa prej Ligës së Parë kanë filluar përgatitjet!  Pjesa e dytë e Kampionatit të Kosovës do të jetë goxha e nxehtë për shumë skuadra, sepse në bazë të renditjes së tabelës, pothuajse 80 për qind janë në luftë për mbijetesë! Mirëpo, secila skuadër kërkon që të përgatitet sa më mirë për pjesën e dytë të kampionatit.

Por problemi i tanishëm janë kushtet atmosferike, bora e madhe që nuk lejon në fushat e tyre të stërviten, sidomos për disa që nuk e kanë edhe infrastrukturën në nivel, por disa prej tyre edhe e ruajnë atë. Një numër i skuadrave planifikojnë që në javët e ardhshme të shkojnë në përgatitjet në ndonjë vend më të përshtatshëm, qoftë në Shqipëri, qoftë në Mal të Zi por edhe në Turqi e gjetiu. Për dallim nga të gjitha skuadrat që mendjen e kanë në përgatitje sa më të mirë, Ferizaj po heq shumë dhe kryesisht e kanë mendjen se si të riorganizohen dhe të zënë trenin e fundit. Nëse shikojmë në tërësi, asnjë skuadrës nuk i konvenon më ndonjë vonesë, aq me pak ato që janë në çerekfinalen e Kupës së Kosovës, e cila luhet me 9 shkurt.

Secila pretendon të përgatitet sa më mirë dhe për të arritur edhe objektivat që ka para vetes. Disa prej tyre vetëm kanë filluar edhe me përforcime, sipas tyre të qëlluara, por edhe shpesh ka ndodhur që përforcimet nuk iu kanë dalur ashtu si kanë planifikuar dhe kanë dështuar edhe me rezultate.  Aktualisht brenga më e madhe e tyre është se si të përgatiten dhe të gjejnë kushte më të mira, të paktën edhe në natyrë, pasi që bora iu ka shkaktuar mjaft telashe, e sidomos koha e ftohtë, ku temperaturat shënojnë minus 6 deri në -12 gradë. Të gjitha skuadrat e dinë, se në pranverë çdo gabim do të jetë i pariparueshëm, për faktin se nuk ka kohë të mjaftueshme. Ajo që dihet, tri skuadra janë në garë për titull, Prishtina që ka 40 pikë, e ndjekur nga Feronikeli me 39 e Llapi me 35, të tjerat skuadra nuk e kanë qetësinë dhe luftojnë dhe për të mos rënë në zonën e barazhit.

As Gjilani, as Drita, as Drenica as Liria, Trepça ’89, Flamurtari, Ballkani,  janë në një lloj presioni, e sidomos Ferizaj që është në krizë të madhe, KEK-u me pak shpresa për mbijetesë e në fund të renditjes me vetëm një pikë të mbledhur. Pranvera mund të sjellë befasi të mëdha dhe ndryshime në renditjen e tabelës. Mbetet të shihet se cilat nga skuadra do të jenë më të përgatitura dhe për të arritur qëllimet që kanë para vetes, me përjashtim të tri të parave që e kanë presionin e luftës për titull, të tjerat për të arritur sa më shumë pikë dhe të janë sa më larg zonës së rrezikut.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat