Nuk kanë fund problemet për Skënderbeun

Futboll

Nuk kanë fund problemet për Skënderbeun

Më: 12 janar 2019 Në ora: 14:59
Nuk kanë fund problemet për Skënderbeun

Problemet nuk kanë fund për Skënderbeun në përgatitjet e pjesës së dytë të sezonit. Nga faza përgatitore, korçarët nuk janë aspak të qetë, pasi përveç mungesës për një kohë të gjatë të Dejvi Bregut si pasojë e dëmtimit që pësoi në miqësore kundër Tiranës, të tjera shqetësime e rëndojnë ambientin bardhekuq në këto ditë.

Bëhet fjalë për mesfushorin etiopian, Beniam Demte, i cili prej kohësh nuk është duke u stërvitur me ekipin si pasojë e disa problemeve shëndetësore. Burime zyrtare pranë klubit bardhekuq bëjnë me dije së mesfushori afrikan që pas ndeshjes me Luftëtarin vuan nga një ftohje si pasojë e virozave dhe kjo ka shkaktuar probleme të shumta për Demten.

Nga sa bëhet me dije në këto ditë, mesfushori etiopian ka bronshit si pasojë e temperaturave të ulëta në ndeshjen kundër Luftëtarit, takim ky që Demte nuk e përfundoi. Si pasojë e kësaj ftohjeje, Demte tashmë është jashtë për një periudhë të gjatë, pasi po kurohet për të kaluar bronshitin dhe në mënyrë që të jetë sërish pranë ekipit.

Nga po të njëjtat burime bëhet me dije se koha e rikuperimit të Demtes, në mënyrë që të kalojë këtë të ftohur shkon nga 2 në 4 muaj. Në të tilla kushte, me Demten jashtë për një periudhë të gjatë, trajnerit Shehi i mbeten në dispozicion vetëm tre lojtarë në repartin e mesfushës, Muzaka, Dita dhe Guezhin.

BREGU – Nga ana tjetër, ajo që shqetëson më shumë ekipin është fraktura e Bregut dhe gjendja e tij. Vlonjati mbylli me sukses ndërhyrjen dhe tashmë duket se është zyrtare se Dejvi Bregu do të mungojë minimalisht 3 deri në 5 javë. Një goditje e madhe kjo që ka shqetësuar jo pak stafin teknik të Skënderbeut, pasi humbin kështu për ndeshjet e para të pjesës së dytë të sezonit një prej futbollistëve më të mirë të ekipit dhe mbi të gjitha kryegolashënuesin e tyre, me 7 gola të shënuar deri më tani.

Tashmë është detyra e stafit që të zgjidhë më së miri mungesën e Bregut ku duket se gati për të zënë vendin e vlonjatit janë si Oto Xhon ashtu edhe Ardit Hoxhaj. Gjatë kësaj periudhe, Shehi dukshëm do të provojë të gjitha alternativat para se të vendosë se kush do të jetë lojtari që do të zëvendësojë Bregun në sulm. Llazi Saro.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat