Justifikon krizën e Skënderbeut

Futboll

Justifikon krizën e Skënderbeut

Më: 13 janar 2019 Në ora: 12:38
Ardian Takaj

Sipas presidentit të Skënderbeut, Ardian Takaj kriza që po kalon aktualisht ekipi korçar është e justifikueshme dhe një fenomen që ndodh normalisht në futboll, pas një periudhe të gjatë suksesi. 

“Mendoj se është një gjë tërësisht normale në futboll, pasi nuk mund të ndodhë që gjithë ato vite të mos kenë ulje-ngritje. Pastaj, u larguan 10 futbollistë titullarë dhe zëvendësimi i tyre në formacion me lojtarë të rinj kërkon kohën e vet për ambientim. Starti ynë ishte premtues, por në fund pësuam katër humbje. Tani nuk na mbetet tjetër veç të shohim përpara, sepse skuadra ndodhet aty dhe zgjidhja qëndron në këmbët e tyre!”, deklaroi presidenti i Skënderbeut në një intervistë për “RTSH Sport”.

Por jo vetëm kaq, sepse pavarësisht rënies së lirë që karakterizoi Skënderbeun në javët e fundit të fazës së dytë, duke u klasifikuar në vend të katërt në kuotën e 30 pikëve, 7 pikë larg Partizanit në krye të renditjes, numri 1 i bardhekuqëve ka një mesazh të rëndësishëm në adresë të pretendentëve për titull.

“Skënderbeu nuk largohet kollaj nga gara për titull. Jo aq sa mund ta mendojë ndonjëri. Do jetë gabim i madh nëse mendojnë se nuk jemi më në garën për titull kampion. Rivalët janë forcuar ndjeshëm dhe kjo e bën garën të fortë dhe të bukur. Ato pikë që duken shumë sot, pas katër javësh do të duken pak. Titulli do të vendoset në fund, sepse do të jetë një garë e fortë me shumë pretendentë. Në fund të fitojë më i miri”, u shpreh Takaj.

Duke mos premtuar shumë në lidhje me merkaton e janarit, kreu i klubit korçar foli edhe në lidhje me gjyqin në CAS. “Po flitet për një dënim fantazëm. Kjo sepse nuk ekziston një dënim pa asnjë provë. Këtë fakt e di mirë edhe UEFA. Të gjithë e dinë se kush e ka dënuar Skënderbeun. Koha do i shfaqi të gjitha. Ne shkojmë për ta fituar dhe do ta fitojmë”, deklaroi ndër të tjera presidenti i Skënderbeut.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat