E rëndë – erdhi në Kosovë për futboll, përfundoi në ndërtimtari

Futboll

E rëndë – erdhi në Kosovë për futboll, përfundoi në ndërtimtari

Më: 14 janar 2019 Në ora: 19:55

Theo Fodjo Lali erdhi në klubin e Trepçës në maj të vitit 2017 si përforcim nga Kameruni. Futbollin kosovar e shihte si urë lidhëse për të dalë në futbollin evropian. Portieri nga kontinenti i Afrikës vitin e kaluar u shndërrua edhe në hero të Trepçës, pasi duart e tij ia siguruan mbetjen në Ligën e Parë “xehetarëve”, të cilët falë tri penalltive të pritura nga ai mposhtën Dardanën në barazh.

Por, Theo Fodjo Lali, nuk e kishte menduar kurrë se krahas futbollit në Kosovë për të siguruar “kafshatën e gojës” do t’i duhej të gjente edhe një punë tjetër, e aq më pak se do të përfundonte në ndërtimtari!

26-vjeçari prej muajsh punon në Kompaninë e Ndërtimit “Medi Construction” nga Mitrovica, tek e cila ka gjetur mbështetjen.

Media ka siguruar foto dhe video të punës së tij në këtë kompani. Pronari i Kompanisë, Fadil Halilaj, tregon se si e punësuan portierin e Trepçës.

“Ai ka ardhur me vetëiniciativë për të kërkuar punë tek kompania jonë dhe ne i kemi gjetur ndihmë”, tregon Halilaj, duke e vlerësuar “gardianin” e “xehetarëve” edhe punëtor të vyeshëm. “E dimë se është sportist i mirë, e njeh gjuhën angleze, por gjithashtu edhe punëtor i mirë. Tek ne nuk punon rregullisht, por kohë pas kohe e angazhojmë kur kemi nevojë”, shtoi ai.

Kryetari i Trepçës, Avni Haxhiu, i pyetur për punën e dytë të Fodjo Lalit, ka dhënë përgjigje diplomatike. “Unë nuk kam njohuri. Edhe pse jam në biseda të rregullta me të, nuk më ka treguar. Edhe nëse ai gjatë kohës së pushimit punon, nuk kam çka të them për këtë, pasi nuk e ka të ndaluar”, arsyetohet Haxhiu, duke mohuar t’i kenë borxh portierit të tyre.

Vitin e kaluar, 26 vjeçari është kthyer në një “hero” për skuadrën e tij, pasi ka pritur 3 penallti me Dardanën dhe e ka mbajtur skuadran për të mos rënë një kategori më poshtë.

Vetë lojtari është edhe më i mbyllur në raport me mediat. “Mund të flasë vetëm për karrierën në futboll, sepse nuk më lejohet të flasë diçka tjetër për menaxhmentin e Trepçës” , ka thënë ai për Olle.

Kamerunasi  nuk ka kontratë të vërtetuar në Federatën e Futbollit të Kosovës. Ai vazhdon të shpresojë se do t’ia shoh hairin futbollit të Kosovës. “Mendoj se futbolli i Kosovës ka një nivel të mirë, për shkak të synimeve të skuadrave që kanë për të dalë në garat ndërkombëtare si Liga e Kampionëve apo Liga e Evropës”, ka deklaruar ai.

Shoqata për Mbrojtjen e të Drejtave të futbollistëve në Kosovë është formuar vitin e kaluar dhe qëllimi i saj është mbrojtja e të drejtave të lojtarëve.

Për rastin e portierit të Trepçës, kryetari i kësaj shoqate, Visar Zogiani, thotë se nuk është në dijeni, e as nuk kanë pasur ndonjë kërkesë nga lojtari.

“Nuk kemi qenë në dijeni dhe nuk kemi pasur asnjë kërkesë nga ana e futbollistit (portierit), por duhet të shikohet se a ka kontratë me klubin, a ka pranuar me dëshirë të punoj edhe një punë tjetër apo është obliguar, pasi që në Ligën e Parë nuk është futbollisti i vetëm që punon një punë dytësore për të fituar mjaftueshëm, kur dihet se vetëm dy-tri ekipe që kanë pretendime të inkuadrohen në Superligë paguajnë më mirë”, thekson Zogiani.

Insporti ndërkaq raporton se ndërtimtaria është sektori më i rrezikshëm në Kosovë, sa i përket vendeve të punës. Vetëm gjatë këtij viti në vendin e tyre të punës humbën jetën 22 persona, shumica në ndërtimtari, kurse më shumë se 112 persona kanë pësuar lëndime trupore, transmton Insporti nga të dhënat zyrtare.

Trepça garon në Ligën e Parë, ndërsa stinorin vjeshtor e mbylli në vendin 7 me 24 pikë të tubuara. Nëntë vjet më parë, në vitin 2010, ata kishin fituar titullin kampion në Superligë, por vitet e ardhshme nuk ishin aspak të mira, duke luftuar kryesisht për mbijetesë ose ngjitje në Superligë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat