Sindikata e futbollistëve kërkon ndihmë për lirimin e futbollistit nga Bahreini

Futboll

Sindikata e futbollistëve kërkon ndihmë për lirimin e futbollistit nga Bahreini

Më: 17 janar 2019 Në ora: 00:39
Hakeem Al Araibi

Sindikata e futbollistëve botërorë FIFPro u ka kërkuar anëtarëve të saj të ndihmojnë futbollistin e Bahreinit, të arrestuar në Tajlandë në nëntor, për një dënim me burg në atdheun e tij, duke thënë se frikësohet për sigurinë e tij.

Hakeem Al Araibi, i cili jeton dhe luan në Australi, u arrestua në nëntor në Bangkok, pas një njoftimi të Interpolit, të lëshuar me kërkesë të Bahreinit.

Bashkimi i futbollistëve australianë tashmë ka kërkuar nga Konfederata aziatike e futbollit (AFC) që të ndërhyjë për të ndihmuar në lirimin e tij nga burgu në Tajlandë.

Araibi, i cili luajti për ekipin kombëtar të futbollit të Bahreinit dhe ishte kritik i qeverisë, ishte akuzuar për vandalizimin e një stacioni policor dhe u dënua me 10 vjet burgim në mungesë.

Ai mohon keqbërjen, por qeveria e Bahreinit thotë se Araibi mund të ankohet kundër dënimit nëse ai kthehet në mbretëri. Araibit iu dha azil në Australi në 2017-ën, pasi u largua nga Bahreini tre vjet më parë.

FIFPro tha se u bënte thirrje futbollistëve “të ndihmonin një lojtar tjetër”, duke dhënë hollësira për masa të tilla si nënshkrimi i një kërkese të Amnesty International.

“Orët po kalojnë dhe ne kërkojmë nga të gjithë futbollistët të bëjnë atë që munden për të shpëtuar Hakeemin”, thuhet në një deklaratë. “Ai duhet të lejohet të kthehet në Melburn, ku ai është lojtar i Pascoe Vale FC dhe të lejohet të jetojë në paqe”.

Ai tha se Araibi udhëtoi në Tajlandë me gruan e tij për të festuar muajin e mjaltit dhe tani ishte “i bllokuar në një qeli të mbushur me të dënuar të tjerë”.

Araibi ishte një kritik i zëshëm i presidentit të AFC-së, Sheik Salman bin Ebrahim al-Khalifa, një anëtar i familjes në pushtet të Bahreinit dhe kushëri i mbretit, kur ai kundërshtoi zgjedhjet presidenciale të FIFA-s në 2015-ën.

FIFPro tha se ishte “thellësisht e shqetësuar për sigurinë e tij (Araibi), dhe mënyrën se si autoritetet aziatike të futbollit po trajtojnë çështjen, duke zgjedhur të heshtin”.

Ndërkohë, FIFA tha se kishte qenë në kontakt të rregullt me AFC-në mbi çështjen. FIFA ka “punuar prapa skenave dhe ka qenë në kontakt të rregullt me shoqatat kombëtare dhe me AFC-në në lidhje me këtë rast”, tha një zëdhënës të martën vonë.

Javën e kaluar, organi qeverisës i futbollit tha se Araibi duhet të lirohet dhe lejohet të kthehet në Australi për të vazhduar karrierën e tij, shkruan tch.

AFC ka thënë se po punon me grupet përfshirë FIFA-n, por nuk pranoi të komentojë më tej.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat