Te fëmijët le të jetë futbolli kënaqësi dhe jo një barrë

Futboll

Te fëmijët le të jetë futbolli kënaqësi dhe jo një barrë

Nga: Nebi Zeneli Më: 17 janar 2019 Në ora: 16:04
Nebi Zeneli

Shpesh ndodh që fëmijët e lënë futbollin. Natyrisht pas këtij abandonimi fshihen shumë arsye dhe ndikojnë shumë faktorë. Shpesh ne trajnerët nuk kemi mundësi të parandalojmë këtë braktisje të fushës nga futbollistët e rinj.

Gjithsesi ka një gjë ndaj së cilës duhet të jemi të kujdesshëm si trajnerët por edhe prindërit. futbolli për fëmijët është argëtim dhe nuk ka kuptim që qysh në kategoritë e ulëta të vendosim një regjim të forte stërvitjeje. Edhe prindërit bëjnë gabim kur presin nga pesë apo gjashtëvjeçarët që kur të rriten të radhiten mes yjeve botëror. Shumë trajnerë përgatisin programe stërvitjeje që janë tepër të lodhshëm si fizikisht edhe psikologjikisht.  E thënë shkurt, pra këto stërvitje janë të bezdisshme dhe të lodhshme për futbollistët e rinj.

Stërvitjet absolutisht duhet të jenë cilësore dhe profesionale, por fëmijëve nuk duhet ti vjedhim kënaqësinë që ndjejnë kur luajnë futboll. Pikërisht ndeshjet janë për këta fëmijë një eksperiencë e veçantë. Disa fëmijë i kënaq vetëm të qenit në fushë dhe të bëjnë ndonjë kalim topi apo ndonjë ndërhyrje të vogël në momentin e duhur. Por shpesh për shkak të ambicieve të prindërve apo trajnerëve, suksesi matet me numrin e golave apo fitoreve.  Asnjë nuk ka të drejtë t’ju imponoj fëmijëve mendësinë që ndeshjen duhet ta fitojmë.

Shpesh loja i përshtatet individit më të mirë brenda ekipit, i cili gjithashtu si të tjerët ndodhet nën presionin që duhet të arrijë rezultatet që priten nga ai. Si rezultat i këtij presioni shpesh ndodh që as ai nuk ju beson lojtarëve të ekipit dhe kjo sjell një barrë edhe më të rëndë për vetë atë, pasi do që situatën e krijuar ta zgjidhi i vetëm. Të gjitha këto sjellin problemin që futbolli për këta futbollistë të vegjël nuk është më argëtim. Kjo trysni mund të shfaqet edhe më vonë në kohën e adoleshencës apo gjatë kohës kur bëhen selektimet e të rinjve. Dhe pastaj pyesim se pse një lojtar i talentuar preferon të jetë kudo, vetëm në fushë jo.

Një fëmijë mundet që shumë shpejt të mërzitet me të gjitha këto. Mundet që edhe çdo gjë ta mbajë brenda vetes dhe shpërthen më vonë. Prandaj komunikimi trekëndësh, pra trajner – fëmijë – prind është tepër i rëndësishëm. Fitorja nuk ka aq shumë rëndësi, e rëndësishme është mbjellja e dëshirës së fortë për garën, lojën dhe fitoren.  Më I rëndësishëm në këtë moshë është argëtimi, pasi kjo me kalimin e kohës bën futbollistin i cili shkon në stërvitje me qejf dhe kështu mundet të eci para në karrierën e tij të ardhshme.

Autori është trajner i futbollit në Slloveni

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat