Avdyli: Shpresoj që të jemi në mesin e pesë ekipeve të para

Futboll

Avdyli: Shpresoj që të jemi në mesin e pesë ekipeve të para

Nga: Kemajl Goca Më: 22 janar 2019 Në ora: 11:25
Taulant Avdyli

Trepça ’89 nga Mitrovica përgatitet maksimalisht për pjesën e dytë të kampionatit po ashtu edhe për sfidën e çerekfinales së Kupës së Kosovës, që pritet ta luajnë me 9 shkurt në kryeqytet ndaj Prishtinës. Synimi i mitrovicasve është që të janë në formën më të mirë, për të shënuar rezultate më të mira se në pjesën e  parë të kampionatit, ku përfunduan në vend të tetë me vetëm 22 të mbledhura ose me 5 fitore, 7 barazime e 5 humbje.  Taulant Avdyli, sulmues dhe herë luan mesfushor krahu, po kalon periudhë të mirë me ’89-shin dhe synon që të janë sa më të përgatitur në çdo pikëpamje para fillimit të stinorit pranveror. 

Avdyli po dëshmon formë të mirë, sidomos në miqësore shënoi dy gola për Trepçën ’89 në fitoren me rezultat 3:1 kundër Drenicës nga Skenderaj. Ai shprehet se atmosfera është shumë e mirë, kushtet e mira, të cilat janë një motiv shtesë për angazhim dhe lojëra të mira. Avdyli mendon se Trepça ’89 do të jetë shumë e fortë në pjesën e dytë të kampionatit. “Jam pritur mirë nga ekipi, po stërvitemi mjaft mirë. Jam përshtatur shumë mirë me ambientin dhe shpresoj të vazhdoj kështu”, thotë Avdyli për gazetën kombëtare “Bota sot”.  Sulmuesi po tregon cilësitë e tija edhe në ndeshjet miqësore: “Kemi zhvilluar një miqësore kundër ekipit të Drenicës, e fillova si është më së miri, duke shënuar dy gola dhe shpresoj të vazhdoj kështu”. Stinori pranveror pritet të jetë interesant, sidomos për skuadrat që janë në pjesën e poshtme të tabelës dhe që kërkojnë të ngjiten sa më lartë.

“Trepça ‘89 është ekip me traditë, luajnë një futboll shumë të bukur. Mendoj që në pranverë do të jetë një ekip shumë e fortë, e vështirë për çdo kundërshtar”, tha ai.  Si e sheh Trepçën '89, sidomos për Kupën e Kosovës, kur dihet se luan me Prishtinën në çerekfinale? “Një ndeshje mjaft e fortë, duke e ditur që përball është një Prishtinë shumë e fortë e cila renditet e para në tabelë dhe ka në radhët e veta lojtar shumë cilësorë, por mendoj se ne jemi duke bërë një fazë përgatitore shumë të fortë dhe kemi lojtar me përvojë të madhe në ekip, po ashtu cilësorë. Mendoj që në fund Trepça ‘89 do të dal triumfuese në këtë duel”, shpreh optimizmin futbollisti. Avdyli shprehet se nuk e ka pritur një fillim fantastik me ekipin mitrovicas: “Të them të drejtën nuk e kisha menduar një fillim kaq të mirë, do të vazhdoj të jap maksimumin në stërvitje që të jam në një formë sa më të mirë”.  ’89-shi nuk e ka edhe luksin, sepse pozita nuk i jep garanci për një gjumë të rehatshëm në vazhdim të kampionatit.

Ndryshe mendon Avdyli dhe sipas tij, as që vjen në diskutim të mendojnë për të mbetur në elitë. “Jo aspak nuk mendojmë për mbetje në ligë,  mendoj që nuk do të diskutohet mbijetesa, Trepça ‘89 ka një ekip shumë të fortë dhe shpresoj në fund të jemi në mesin e pesë ekipeve të para”, përfundoi Avdyli.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat