Leci: Veturat i ndërroj goxha shpesh ashtu sikur edhe telefonat - Bota Sot
Leci: Veturat i ndërroj goxha shpesh ashtu sikur edhe telefonat

Futboll

Leci: Veturat i ndërroj goxha shpesh ashtu sikur edhe telefonat

Nga: Kemajl Goca Më: 22 janar 2019 Në ora: 11:27
Liridon Leci

Liridon Leci po kalon periudhën më të mirë në qytetin e Gjilanit, përkatësisht në klubin e futbollit Drita, kampion në fuqi. Mbrojtësi është falënderues për ekipin e Dritës por edhe në përgjithësi për futbollin, sportin më popullor në botë, që i ka dhënë gjithnjë emocione të pakufishme.  Leci ka karrierë të pasur si futbollist jo vetëm brenda Kosovës. Ai është i lumtur që ka fituar edhe një titull kampioni me Dritën dhe që ka luajtur me sukses me këtë ekip në garat kualifikuese në Champions League dhe në Europa League. Leci e pranon se e ka një ves shumë interesant, ka merak mi ndërruar shumë veturat dhe telefonat.  Misioni i tij është që me ekipin e Dritës të luftojnë që të kualifikohen në finalen e madhe të Kupës së Kosovës, po ashtu edhe në kampionat që të janë sa më lart. Ai ka folur edhe për jetën e tij private dhe çfarë synon në të ardhmen.  Si mbrojtës ka pasur momente shumë të mira, por ka përmendur edhe disa nga sulmuesit me të cilët në duele ka pasur telashe të shumta!  Futbollisti shprehet se ajo që e kënaq më së shumti, ka talent shqiptar që po rriten e zhvillohen në shtetet e ndryshme jo vetëm të Evropës. Ai tregon se a është merakli edhe i shpejtësisë.     

“Bota sot”: Një kohë me futboll, a më shumë përfituat apo i dhatë këtij sporti?

Liridon Leci: Pyetje shumë e mirë dhe njëkohësisht problem me t’u përgjigjur. Gjithsesi do të mundohem. Mendoj se është reciproke kjo gjë, sepse përveç që kam përfituar shumë nga futbolli i kam dhënë edhe shumë futbollit, e sidomos klubeve ku kam luajtur, sepse kam luajtur gjithmonë nëpër ekipe që kanë pretenduar vendet e para dhe titujt. Përveç futbollit nuk besoj kurrë se do të kisha njohur kaq shumë dhe kam pas pune me lloj lloj mentalitetesh nëpër shumë vende të botës dhe kjo është e mira e futbollit, sepse krijon shumë miq dhe ke punë me lloj lloj njerëzish.

“Bota sot”: Tash e një kohë me Dritën, si kaloni në këtë mjedis, kampion në fuqi?

Liridon Leci: Mund të them lirisht se periudha prej se jam në Dritë është periudha më e mirë ndoshta në karrierën time dhe për këtë duhet falënderuar të gjithë në klub dhe tifozët ‘Intelektualët’ që gjithmonë me kanë përkrahur. Ka qenë një vit shumë i suksesshëm si në aspektin personal si në aspektin e klubit, ku dihet që jemi shpall kampion i Kosovës, fituesi i Superkupës dhe ishim pjesëmarrës në Champions League dhe Europa League, ku mendoj me kapacitetin që kemi pas, kemi marr maksimumin duke e kaluar një raund në Champions.

“Bota sot”: Një kohë në Suedi, a ka dallim të madh për nga cilësia dhe trajtimi të futbollistëve me Kosovë?

Liridon Leci: Dallimi është shumë i dukshëm si në aspektin e kushteve dhe trajtimit dhe besoj këtu pajtohemi të gjithë. Por prej se jemi pranuar në FIFA e UEFA ka një përmirësim edhe në futbollin e Kosovës por që duhet shumë punë në të gjitha instancat që të kemi një futboll sa më të mirë dhe të pretendojmë gjithmonë e më mirë.

“Bota sot”: Përveç me futboll, Liridoni me çka merret me shumë në jetën private?

Liridon Leci: Thënë të drejtën, prej se luaj futboll merrem veç me futboll.  Nuk është se merrem me ndonjë biznes ose diçka tjetër përveç futbollit. Por që mbas futbollit besoj që do të merrem edhe me ndonjë biznes. Sepse nuk është e lehtë edhe të merresh me futboll edhe me ndonjë punë tjetër, sepse ne jemi profesionistë dhe paguhemi si profesionistë, prandaj edhe duhet të përkushtohemi maksimalisht stërvitjeve etj.

“Bota sot”: Çfarë veture vozitni dhe a jeni merakli në shpejtësi?

Liridon Leci: Merakli jam edhe në vetura edhe në shpejtësi. Veturat i ndërroj goxha shpesh ashtu sikur edhe telefonat sepse mundohemi të kemi gjithmonë më të mira dhe më të reja. Vetura ime e fundit ka qenë Mercedes, por preferoj Audi dhe prandaj e kam heq.

“Bota sot”: Çfarë i duhet më shumë futbollit të Kosovës?

Liridon Leci: Duhet shumë punë me lojtarët e ri, duhet infrastrukturë, kushte për lojtarët ku të stërviten. Ne kemi talent por duhet punë shumë profesionale. Shikoni sa lojtari është nëpër Europë që janë nga Kosova dhe që çdo ditë po i shohim duke luajtur nëpër ekipe të mëdha. Kjo është fal punës që bëjnë nëpër ekipet ku janë, sepse talenti nuk ju mungon. Edhe ne këtu nëse dojmë që të kemi kuadro të ri, duhet të punojmë shumë me ta dhe t’ju krijojmë kushte sa më të mira.

“Bota sot”: Cilat skuadra i sheh për kreun e tabelës e cila është më afër titullit?

Liridon Leci: Feronikeli dhe Prishtina janë dy skuadrat që kanë tregu vazhdimësi të mirë dhe janë kandidat kryesor, por edhe Llapi ka ekip të mirë dhe edhe ajo është po aty dhe normal është pretendente.

“Bota sot”; Çfarë iu mbetet merak që nuk keni realizuar?

Liridon Leci: Nuk do të kisha veçuar ndonjë, sepse ka edhe shumë "merake" që ndoshta nuk kam mundur mi realizuar. Kështu që nuk e veçoj asnjë.

“Bota sot”: Me cilin sulmues keni pasur telashe më së shumti si mbrojtës?

Liridon Leci:  Sa kam luajt në Shqipëri, ka qenë Gjergji Muzaka një lojtar shumë i shpejt dhe shumë kualitativ. Me ka ra shumë herë të përballen me të. Ndërsa në Suedi ka pas disa, kurse në Kosovë mendoj se Mendurim Hoti është lojtar shumë i papërshtatshëm dhe mjaft i rrezikshëm.

“Bota sot”: Cili ka qenë momenti më i mirë si futbollist dhe cili më i keq në aspektin sportiv?

Liridon Leci: Momenti më i mirë padyshim ka qenë shpallja kampion sepse vetëm kjo me ka munguar si futbollist dhe padyshim edhe kalimi i një rangu në Champions League, si dhe dy golat e shënuar  nga ana ime kanë qenë momente të paharruar. Më i hidhuri, besoj eliminimi nga ekipi i Luksemburgut Dudelange, ka qenë moment shumë i hidhur si për mu edhe për të gjithë ekipin, sepse vërtet kemi bërë një paraqitje shumë të mirë.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...