Kosova shpartallon San Marinon

Futboll

Kosova shpartallon San Marinon

Më: 23 janar 2019 Në ora: 11:10
Kosova shpartallon San Marinon

Djelmoshat e Kombëtares U19 në futsall e kanë nisur furishëm rrethin kualifikues për Evropianin 2019, duke mundur ekipin Kombëtar të San Marinos në ndeshjen e parë me një rezultat të thellë 11:2. Kosova mbizotëroi kundërshtarin si me lojë ashtu edhe me rezultat. Djemtë tanë e organizuan lojën si në mbrojtje kështjellë ashtu dhe në sulm të furishëm e efikas, duke i zbatuar kështu detyrat e përzgjedhësit Suad Keçi në përpikëri.  Serinë e golave e hapi kapiteni Rinor Dragusha qysh në minutën 6-të të ndeshjes, madje për dy minuta Dragusha shënoi dy herë. Në vazhdim erdhi në shprehje cilësia e lartë e Drilon Maxharrajt me shokë të tjerë, ku rrjetën e San Marinos e tundi hiq më pak se 5 herë. Ndërkaq që në listën e shënuesve u regjistruan edhe Blendi Bërbatovci, Albion Mataj e Armend Aliu. Përderisa, futbollistët e San Marinos shënuan dy gola edhe atë përmes Simone Badellit në minutën e 12-të dhe 23 –të ndeshjes. Ndeshja ishte korrekte dhe në suaza të “fair-play”-t. Kosova sot do të ballafaqohet me ekipi Kombëtar të Suedisë, e cila u mposht nga Qiproja me rezultat 1:6. Ndeshja zhvillohet prej orës 16.00

Pas ndeshjes deklaruan:
Suad Keçi, përzgjedhës, thotë:
Për neve kjo ishte një ndeshje me rëndësi edhe për faktin që ishte ndeshja e parë dhe donim që brenda ekipit fitorja të sjellë entuziazëm  dhe këtë e arritëm. Ndonëse rezultati është i thellë, mendoj se ndeshja ishte mjaft e fortë dhe ekipi i San Marinos tregoi lojë të mirë. Futbollistët e mi i janë përmbajtur mirë detyrave që ua kam parashtruar para kësaj ndeshje edhe pse nuk kishim njohuri për kundërshtarin. Fitorja na gëzon të gjithëve, por ne duhet të mendojmë për dy ndeshjet tjera sidomos për ndeshjen e nesërme kundër Suedisë. Besoj që djemtë do të japin maksimumin në çdo ndeshje.

Rinor Dragusha, futbollist, tha: Ishte një lojë jashtëzakonisht e mirë dhe arritëm një fitore të thellë. Mendoj se mirë e menaxhuam ndeshjen dhe e qarkulluam mirë topin. Kishim disiplinë brenda lojës dhe luftuam për çdo top e kjo na solli fitoren. Por, ne tashmë mendjen duhet ta kemi të ndeshja  me Suedinë dhe nuk guxon të na mashtrojë humbja e saj nga Qiproja.

San Marino – Kosova 2:11 (1:6)
Pallati Multivendi sport Domus- Sarravalle
Shikues: disa qindra
Gjyqtarë: O. Soykan, J. Kresta e  G.R.  Ramirez.
Shënues: Dragusha(6 e 8), Maxhararaj(14, 18, 21, 33 e 35), Bërbatovci(9), Mataj(9 e 29) e Aliu(34) për KOS. dhe Baldelli(6 e 23) për S. Marinon.
San Marino: Geri, Beinat, Baldelli, Micheloti e Dolcini: dhe Fazzardi, El Attar, Dela Valle, Pilliccioni, Giacobbi, Gennari e Bollini.
Kosova: Gllareva, Haliti, Thaçi, Dragusha, e Maxharraj: Dhe Avidja, Berbatovci, Beqiri, Lahu, Lleshaj, Mataj e Aliu.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat