E thotë një legjendë: Salah, më i mirë se Messi dhe Ronaldo në vitin 2018

Futboll

E thotë një legjendë: Salah, më i mirë se Messi dhe Ronaldo në vitin 2018

Më: 24 janar 2019 Në ora: 12:40
Mohamed Salah

Mohamed Salah ishte më i mirë se Messi dhe Ronaldo në vitin 2018. Të paktën kështu mendon Ian Rush, ish-futbollisti i njohur i Liverpool dhe Juventusit, ndër të tjera, i cili e motivon egjiptianin për t'u bërë legjendë në “Anfield”. 

Me këtë nënkupton që ai të vijojë në këtë mënyrë dhe të qëndrojë te “Reds”, jo të ndjekë gjurmët e Luis Suarez dhe Fernando Torres. Spanjolli u largua nga “Anfield” për te Chelsea, pas shkëlqimit me të kuqtë, ndërsa Suarez u nis për në Barcelonë, pasi fitoi titullin e Premier League me Liverpool.

Salah erdhi nga Roma në verën e vitit 2017, teksa fitoi “Këpucën e Artë” në Angli, sezonin e kaluar, ndërsa ka shënuar edhe 19 gola këtë edicion, në të gjitha garat.

Ikona e “Reds”, Ian Rush, shpreson që këto standarde të ruhen nga 26-vjeçari. Ish-sulmuesi i njohur tha për “Liverpool Echo”: "Mohamed ishte i pabesueshëm sezonin e kaluar. Për mua, ai ishte lojtari më i mirë në botë. Salah ishte më i mirë se Lionel Messi dhe Cristiano Ronaldo në vitin 2018.

Në fillim të këtij sezoni ishte më e vështirë për të. Ekipet kundërshtare kanë marrë masat, duke e mbuluar me dy lojtarë. Sidoqoftë, ka punuar shkëlqyeshëm. Ai është bërë një lojtar më i mirë dhe më i plotë.

Në nivel personal ndoshta nuk mund të arrijë atë që bëri sezonin e kaluar, por nëse shënon 30 gola dhe Liverpool fiton titullin, sezoni i tij do të ishte më i mirë.

Njerëzit flasin për Torres dhe Suarez, ata ishin lojtarë të mëdhenj, por nuk ishin mjaft jetëgjatë këtu. Unë dua që Mohamed të qëndrojë për një kohë shumë më të gjatë se ata dhe të bëhet një legjendë e vërtetë këtu".

Salah shënoi 44 herë në sezonin 2017-2018 dhe e udhëhoqi Liverpool-in drejt finales së Ligës së Kampionëve, ku u dëmtua fatkeqësisht nga Sergio Ramos.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat