Lushtaku: Problemin kryesor e kemi për sulmues!

Futboll

Lushtaku: Problemin kryesor e kemi për sulmues!

Nga: Kemajl Goca Më: 25 janar 2019 Në ora: 18:45
Lushtaku: Problemi kryesor e kemi për sulmues!

Drenica nga Skenderaj përgatitet me intensitet të shtuar në Durrës, me qëllim që të arrijnë formën sa më të mirë për pjesën e dytë të kampionatit të elitës së futbollit të Kosovës. Kryetrajneri i Drenicës, Tahir Lushtaku, shprehet se është atmosferë shumë e mirë, përgatitjet shkojnë sipas planit. Skenderajasit kishin ecuri të mirë në pjesën e vjeshtore, ku u renditen në vend të pestë me 24 pikë të mbledhura. “Marrë në përgjithësi, përgatitjet i kemi nisur me kohë qysh nga 7 janari, jemi në Shqipëri nga dita e martë.

Përgatitjet po shkojnë mirë, koha është ideale, kushtet për punë shumë të mira dhe stërvitje janë të mira. Akomodimi në hotel me kushte shumë të mira”, tha Lushtaku për gazetën kombëtare “Bota sot”. Drenica deri me tash ka zhvilluar tri ndeshje miqësore, dy në Skenderaj, ku ka mundur me rezultat 3:0 KEK-un, ndërsa pësoi humbje me 1:3 nga Trepça ’89 dhe në Durrës barazoi 4:4 me Vëllaznimin. “Gjatë këtyre ditëve kemi zhvilluar ndeshje kontrolluese, një në Durrës dhe dy në Skenderaj. Në Durrës luajtën baras me rezultat 4:4 me Vëllaznimin, të dielën do të takohemi me Trepçën ‘89 në Durrës dhe të martën pritet të kemi edhe ndeshjen e tretë”, theksoi ai.

Lushtaku është i kënaqur me ecurinë e përgatitjeve: “Punët po shkojnë mirë dhe lojtarët punojnë maksimalisht, gjithçka po shkon sipas planit”. Kryetrajneri i Drenicës tha se kanë nevojë për një sulmues: “Drenica ka nevojë për një sulmues, një qendërmbrojtës, ku në këto dy pozita kemi nevojë ende, edhe pse jemi ende në kontakte me disa lojtarë dhe ndoshta edhe do të vendosim”.

Synimi i Drenicës është që ta ruajë pozitën e tanishme. “Synimi i Drenicës është me ruajtur këtë pozitë ku gjendemi në tabelë, sidomos t’i hyjmë kampionatit pa probleme, mos të kemi probleme që të jemi në barazh, por do të mundohemi që të bëjmë lojëra sa më të mira. Disa futbollistëve të rinj do t’i japim mundësi që të kanë më shumë minuta lojë”, tha Lushtaku. A mendoni se humbja e shumë pikëve në vjeshtë ka qenë edhe mungesa e një sulmuesit?

“Është e vërtet dhe problemi kryesor ka qenë mos realizimi i shumë rasteve gjatë shumë ndeshjeve. Nuk kemi pasur një lojtar që do të shënonte gola, do të mundohem me këta futbollistë që kemi, me dy-tre futbollist ta kryejmë punën e sulmuesit ose në ditët në vazhdim do të marrim ndonjë, sepse kemi nevojë shumë. Problemi kryesor apo më i madh, është me një lojtar që me të vërtet i realizon rastet, sepse nëse e analizojmë vjeshtën kemi humb shumë pikë shkaku që nuk realizuam rastet”, tha ai.

Lushtaku nuk mendon se pranvera do të jetë e nxehtë.  “Mendoj se nuk do të jetë pranverë e nxehtë, shumë ekipe kanë nisur të organizohen dhe të janë shumë më serioze, po shihet edhe Ferizaj me ato probleme që ka pasur është ringjallur, edhe KEK-u ka bërë disa ndryshime. Ka me qenë një sezon më i mirë, do janë pikë të rëndësishme për çdo ekip. Qëllimi te shumë ekipet janë pikë se sa loja, por besoj se do të jetë një kampionat i rregullt e me pak telashe”, përfundoi Lushtaku.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat