Kinezët i vënë kusht Spallettit

Futboll

Kinezët i vënë kusht Spallettit

Më: 29 janar 2019 Në ora: 16:03
Kinezët i vënë kusht Spallettit

Një pikë në dy ndeshje dhe pakënaqësia e një prej futbollistëve kyç në formacionin zikaltër. Telashet te Interi janë shtuar dhe përballja me Lazion në Kupën e Italisë po afron. Në "San Siro", mbrëmjen e të enjtes, zikaltrit kanë shansin të eliminojnë skuadrën e Strakoshës dhe të sigurojnë biletën për në gjysmëfinale. Nëse kjo nuk do të ndodhë, atëherë stoli i Luciano Spalettit do të lëkundej jo pak dhe mund të merrej edhe një vendim drastik nga krerët e klubit.

Sipas asaj që shkruan "Gazzetta dello Sport", ditën e hënë, në një restorant në Milano, emri i të cilit mbahet sekret, presidenti Zhang, bashkë me Marottan dhe Zanettin, kanë darkuar dhe biseduar rreth të ardhmes së trajnerit zikaltër. Kushti që i është vënë trajnerit, duke parë ecurinë jo pozitive, ka të bëjë me fitimin e një trofeu: Kupë Italie ose Europa League. Ndryshe, atëherë rrezikohet seriozisht shkarkimi i tij. 

Në anën tjetër, ka ngecur situata sa i përket Ivan Perisic. Kroati ka shfaqur pakënaqësinë dhe ka kërkuar shitjen Problemet personale me një pjesë të grupit dhe me trajnerin e shtyjnë kroatin të ndërrojë fanellë, por edhe kampionat. Administratori Marotta e ka zyrtarizuar këtë divorc brenda në shtëpi, por kjo është kthyer në "bumerang". Në fakt, edhe ato klube që mund të ishin të interesuara, tashmë e dinë që lojtari dëshiron largimin dhe se Interi nuk mund të shtrëngojë shumë litarin sa i përket kërkesave ekonomike. 

Në Angli përflitet për një interesim të Arsenalit, por oferta deri tani nuk ka pasur. Ideja e topçinjve është ta marrin në formë huazimi me të drejtë blerje (5 mln euro tani dhe 35 mln euro në rast blerje në fund të vitit ose verën e vitit 2020). Në anën tjetër, edhe Candreva mund të largohej, por është bllokuar shkëmbimi me Ferreira Carrascon. Motivi është financiar: belgu kërkon 9-9,5 mln euro në sezon, rrogë që do të prishte ekuilibrat te zikaltrit, sidomos duke ditur se Icardi ende nuk ka rinovuar dhe se kërkon atë rrogë, por Interi ka shkuar deri në 7 mln euro.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat