Stadiumi i shumëpritur, diçka po lëviz në Kukës

Futboll

Stadiumi i shumëpritur, diçka po lëviz në Kukës

Më: 30 janar 2019 Në ora: 10:29
Stadiumi i shumëpritur, diçka po lëviz në Kukës

Para një viti e gjysmë Kukësi doli me një deklaratë të bujshme: "Do të ndërtojmë stadium të ri, me kapacitet prej 10 mijë vendesh, i mbuluar krejtësisht. Ky impiant kap vlerën e 3.5 milionë eurove dhe do të jetë pa dyshim ndër më modernët në Shqipëri".

Në verë presidenti Safet Gjici prezantoi projektin e miratuar për stadiumin e ri, duke bërë një modifikim të vogël, sepse kostoja u rrit nga 3.5 milionë euro në 5 milionë euro, ndërsa numri i vendeve të ulura është ulur, duke e kuptuar që nuk është logjike të ndërtosh stadium gjigant me një shifër aq të vogël.

Këto para janë gjetur, sepse qeveria shqiptare do të dhurojë 2.5 milionë euro, ndërsa para dy muajsh Federata Shqiptare e Futbollit ka dhuruar 2.5 milionë euro të tjera.

Në teori stadiumi duhet të përfundojë brenda vitit 2019, mision i pamundur në fakt, po të kemi parasysh se ish-Qemal Stafa ka kaluar disa herë afatet e premtuara për përfundimin e tij.

Në Kukës puna nuk ka nisur ende dhe vetëm sot klubi verilindor ka lajmëruar se ka nisur studimi për ndërtimin e stadiumit. Një grup ekspertësh kanë nisur matjet sizmike dhe do të duhet pak kohë që të mësohet nëse terreni ku është ndërtuar stadiumi aktual është i përshtatshëm për të ndërtuar një stadium që nuk do të jetë 10.000-vendësh, sepse kapaciteti do të ulet poshtë 7000 vende, që gjithsesi do të dilnin e tepronin për Kukësin dhe gjithë verilindjen e Shqipërisë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat