Flet Prekazi, Abiti me tha: Nysret të lutem ik, se mbarove me ka krejt!

Futboll

Flet Prekazi, Abiti me tha: Nysret të lutem ik, se mbarove me ka krejt!

Nga: Kemajl Goca Më: 31 janar 2019 Në ora: 12:41
Genc Hoxha, Nysret Prekazi e Ramiz Krasniqi në vitet e 90-ta

Ish gjyqtarit të futbollit, Nysret Prekazit, si sot iu kujtohen sfidat që u ballafaqua në vitin 1991-92 dhe për kërcënimet që mori nga okupatori serb. Atëkohë, të jesh gjyqtar i futbollit në Kampionatin e pavarur të Kosovës, ka qenë ngjashëm sikur të jesh në front të luftës!  Nysreti është vëllai i ish futbollistit të mirënjohur, Rafetit, aktualisht është selektor i Kombëtares së Kosovës U-21. “Në atëkohë, erdhi lajmi se dikush duhet t’i prijë referimit në futbollin e pavarur të Kosovës.

Kisha edhe tri ndeshje t’i referoja në ish ligën jugosllave, si në Maqedoni, Serbi, por vendosa në at mbledhje që të tërhiqem. Kolegët me thanë shko refero edhe tri javë, pastaj tërhiqesh, por vendosa menjëherë të tërhiqem. Kurse në mbrëmje me erdhën në Mitrovicë dhe mu luten që me u kthye, duke me premtuar se do të referosh në ligën e parë ish jugosllave. Aty i thash një gazetarit mos hajde më kurrë për këtë punë. Aty e përfundova dhe iu bashkova shokëve për të referuar në kampionatin e pavarur”, tregon Nysreti për gazetën kombëtare “Bota sot”.  “U bëra kryetar i referëve në Mitrovicë, kështu që ia nisa me referuar në kampionatin e pavarur. Vendosa me shpirt dhe me kolegët e mi të Mitrovicës, të gjithë me respektuan si kryetar. Asnjëri nuk më ka kundërshtuar dhe për të gjithë referët e Mitrovicës kisha vend dhe asnjëri prej tyre nuk e ka anuluar asnjë ndeshje. Në atëkohë, ndër referët që më së shumti kanë kontribuar në rajonin e Mitrovicës, ishin Iljaz Spahiu, Rexhep Potoku, Vehbi Ibrahimi, Isa Mustafa, të ndjerët Enver Voca, Agim Hasani, Ismet Sejdiu etj. Të gjithë referët e dhanë maksimumin atëkohë, pra të të gjitha rajoneve”, tha Nysreti. 

Image

Më tutje tregon për të gjitha vështirësitë që kanë hasur: “Në atëkohë nuk kemi pasur as zyre dhe i kemi mbajtur në një vend në Ibër, dikur më vonë na lëshuan një zyre në shkollën ‘Abdullah Shabani’, ku mbanim mbledhjet. Rrimë shtremb e të folim drejt, Skënder Selmani na ka ndihmuar shumë financiarisht, ka kontribuar shumë.

Image

Rexhep Potoku, Nysret Prekazi, Iljaz Spahiu e Skënder Selmani

Secilën ndeshje ka qenë rrezik i madh nga regjimi i Serbisë”. Ai tregoi edhe një rast shumë interesant: “Në ndeshjen Drenica nga Skenderaj dhe Bashkimi nga Shipoli, hyra me referuar në vitin 1991-1992, ia nisëm lojës, diku kah pjesa e dytë, erdhën më shumë se 10 makina me milicë të Serbisë. E pamë një herë si po shkon situata, iu drejtova lojtarëve: Po shkojmë deri fund e le të bëhet çka të bëhet! A shkojmë, shkojmë.

U krye ndeshja dhe u qetësuam, shkuam nëpër shtëpi, fatmirësisht nuk e ndërprenë ndeshjen.  Çdo sekondë, çdo ditë kemi pasur tremb, e sidomos kur udhëtonim, se mos po na dalin aty ose atje, kur dilnin na kontrollonin e na ktheni prapa ose u desh të gjejmë zëvendësime. Më ka ndodhur që duke shkuar në Rahovec, milicia më ndaluan dhe me kthyen prapa. E kam thirr me telefon fiks Arsim Spahiun i cili e ka referuar at ndeshje. Thjesht e kemi kryer një obligim kombëtar, kurse i dëshiroj suksese Federatës së Futbollit të Kosovës. Kemi kontribuar që të vjen kjo ditë dhe referët tanë të referojnë të lirë, të iu hapën dyert e të referojnë në Evropë”.

Nysreti tregon se nuk kishte çare pa e lënë referimin, nga presioni i madh që i vinte nga pushtuesi serb.   “Abit Alaj, atëkohë kryetar i KF Trepça, me tha: Nysret të lutem ik, se mbarove me ka krejt! Kjo ka ndodhur në periudhën 1991-92, ku Abitin e kishin mbajtur së paku tetë orë në bisedë informative.  Nysret të lutem ik, se dy-tri orë më kanë pyetur për ty, aman ik veç një muaj.  Vendosa që të dal dhe u ktheva. Erdhën milicia të më arrestojnë, kërceva nga dritarja, ika mur në mur dhe shkova te daja. Dola për një muaj (1992) dhe i dhash fund referimit”, përfundoi Nysreti.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat