Mema: Mungesat më shqetësojnë

Futboll

Mema: Mungesat më shqetësojnë

Më: 31 janar 2019 Në ora: 18:16
Mema: Mungesat më shqetësojnë

4 fitoret në 5 ndeshjet e fundit kanë larguar për momentin stuhinë tek Tirana dhe qetësia dallohet qartë tek trajneri Ardian Mema. Më në fund duket se gjithçka po funksionon në drejtimin e duhur dhe një tjetër konfirmim mund të vijë në sfidën përballë Teutës. Tekniku i bardhebluve nuk është euforik, megjithatë mendësia e tij nuk e pranon barazimin pavarësisht se mund të ishte një rezultat pozitiv për 24 herë kampionët.

 “Ekipet e kreut kanë lojtarë cilësorë dhe bëjnë diferencën. Në kampionatin tonë duhet përqendrim dhe nëse ndodh kështu, çdo gjë mund të flasë edhe për tyre pavarësisht emrave. Sa i takon Teutës, do jetë një ndeshje shumë e fortë. Ata kanë kualitete. Jemi përgatitur dhe mendojmë për rezultat pozitiv. Nuk kënaqem kurrë me barazim, por vetëm me fitore. Barazimi është diçka që nuk të ngjit, të paktën mua për mentalitetin që kam. Gjithsesi ne mendojmë që të mos humbim dhe më pas të fitojmë ndeshjen. Shpresoj që ekipi të synojë fitoren, pasi Tiranës i duhen ndeshjet”.

Edon Hasani është i pezulluar, Kërçiku i dëmtuar ndërsa në dyshim është edhe Turtulli, mungesat mund të jenë minusi i madh i Tiranës në duelin ndaj skuadrës së Bledi Shkëmbit.

“Më shqetësojnë të gjithë, lojtarët janë në terapi e sipër. Nga stafi më kanë thënë se do jenë gati, jo të gjithë. Kërçiku nuk do të jetë gati. Më shqetëson fakti që kur ekipi nis të luan mirë, një lojtar nuk mund të aktivizohet, dhe kjo pengon rritjen e ekipit dhe të individëve”.

5 pikët diferencë me Kamzën nuk janë të mjaftueshme për tu konsideruar një distancë sigurie dhe Mema preferon që në thonjza të fluturojë ulët dhe në mënyrë matematike ta harrojë fjalën mbijetesë.

“Tirana luan në dy frontet. Kemi luajtur ndeshjen e parë të fazës së tretë, matematikisht nuk ka ndryshuar gjë. Na duhet vazhdimësi dhe t’i marrim ndeshjet hap pas hapi. Duhet të rritemi si ekip, pasi është me rëndësi të fitojmë dhe të kemi një objektiv tjetër: që është ngjitja sipër, apo largimi nga zona e ftohtë”.

Merkato nuk ka qënë e pasur për bardheblutë, tekniku zbulon një parapskenë me lojtarin e Partizanit Mensah, teksa personalisht nuk do ta pranonte atë që bëri Kukësi me Ramën, pra të afronte një futbollist që nuk luan prej kohësh.

“Lojtarët që vijnë në ekip duhet të bëjnë diferencën. S’e kemi pasur këtë fat, që të na vijë një lojtar që bën diferencën. Kam dëgjuar për një ekip që ka marrë një lojtar që nuk luan prej një viti. Unë nuk mund ta marr, nuk më shkon. Kjo edhe për pikët që kemi. Secili ekip ka objektivat e veta, katërshja e parë lufton për titullin. Gjithsesi kjo nuk të bën të marrësh lojtarë në emergjencë. Unë nuk i marr po nuk isha i bindur. Janari ta sjell këtë lloj kushti, që t’i të mos bindesh. Një lojtar që ka qenë i Partizanit (Mensah), nuk është se kemi negociuar ne klub me klub, por vetë lojtari ka shprehur dëshirën për t’u larguar. Unë e pëlqeva dhe mendova të negocioj me futbollistin. Është e mbyllur? Them se po”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat