Sermaxhaj: Liria, Ballkani, Ferizaj e Flamurtari, do të jenë më me presion

Futboll

Sermaxhaj: Liria, Ballkani, Ferizaj e Flamurtari, do të jenë më me presion

Nga: Kemajl Goca Më: 1 shkurt 2019 Në ora: 17:37
Genc Sermaxhaj

Në javën e ardhshme përkatësisht me 9 shkurt starton pjesa e stinorit pranveror me ndeshjet e Kupës së Kosovës në futboll. Skuadrat po përgatiten maksimalisht që t’i gjejnë të gatshme në çdo aspekt si ato që janë të kualifikuara në çerekfinale po ashtu edhe për ato që garojnë në Superligën e Kosovës. Ish futbollisti i mirënjohur Genc Sermaxhaj, aktualisht analist, thotë se garat e Kupës do të sjellin emocione po ashtu edhe ato në kampionat. Sipas tij, asnjë skuadër nuk e ka luksin në kampionat, kur merren parasysh edhe afërsia me pikë njëra me tjetrën.

“Bota sot”: Një javë na ndanë nga ndeshjet e Kupës së Kosovës, a mendoni se skuadrat janë mirë të përgatitura?

Genc Sermaxhaj: Digitalb Kupa e Kosovës, do të sjell ndeshje mjaft interesante, e sidomos kur këto ekipe do të përballen mes vete për herë të parë këtë stinor dhe menjëherë pas fazës përgatitore që kanë bërë jashtë vendit.  Se a janë të përgatitura aq sa duhet apo jo, ne ende nuk e dijmë derisa ti shohim tek luajnë, më pastaj mund të themi një vlerësim profesional në bazë të përgatitjeve që kanë bërë dhe ndeshjes që zhvillojnë. Padyshim se janë mirë të përgatitura, disa më shumë e më mirë e disa më pak e jo shumë mirë, por të gjitha mund të na tregojnë fytyrën e tyre të vërtetë në ndeshjen e parë të tyre.

“Bota sot”: Si e sheh pjesën e dytë të kampionatit dhe cilën më afër titullit?

Genc Sermaxhaj: Pa dyshim Prishtina e Feronikeli janë më afër qëllimit ngase janë ekipe më serioze këtë stinor sa i përket titullit.  Gjithsesi se do të jetë kampionat ku do ketë shumë befasi, por sa do të ketë kualitet mbetet të shihet.  Drita do bëj çmos në garën e Kupës ngase titulli i mbetet larg.  Llapi nuk ka qenë seriozë në stafin teknik duke bërë shumë ndryshime dhe kur ka këso ndryshime të shpeshta, atëherë s’ka seriozitet e po ashtu lojtarët vështirë mësohen me këto ndryshime. Ekipet që janë përgatitur në Turqi në kushte më të mira për punë ushqim e pushim, sigurisht se janë më mirë të përgatitura, se sa ekipet tjera në vendet tjera, por gjithsesi vlerësuesi më i mirë i tyre është fusha.

“Bota sot”: A është presioni më i madh te skuadrat që luftojnë për ekzistencë dhe a ka qetësi edhe për skuadrat që janë të renditura nga vendi i katërt e deri në fund?

Genc Sermaxhaj: Skuadrat e renditura në fund, kanë bërë transferët e tyre për qëllim që të jenë më të forta se tjetra dhe për t’i ikur zonës së rënies e barazhit.  Dhe presioni gjithsesi se është prezent tek të gjithat, por nga vendi i katërt e poshtë, nuk ka rehati për ekipet dhe do të kemi përballje të zjarrta mes tyre.  Presion mund të ketë edhe Prishtina e Feronikeli që janë të parat, por padyshim se Liria, Ballkani, Ferizaj e Flamurtari, do të jenë më me presion.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat