Real-Barça; tri klasike në një muaj dhe precedenti i dhunshëm Mourinho-Guardiola - Bota Sot
Real-Barça; tri klasike në një muaj dhe precedenti i dhunshëm Mourinho-Guardiola

Futboll

Real-Barça; tri klasike në një muaj dhe precedenti i dhunshëm Mourinho-Guardiola

Më: 3 shkurt 2019 Në ora: 06:59
Ilustrim

Shorti për gjysmëfinalet e Kupës së Mbretit (2018-2019) përvijoi përplasjen mes të Barcelonës dhe Real Madridit. Kjo do të thotë se tri “El Clasico” do të luhen në vetëm një muaj. Futbolli spanjoll do të jetojë një kulm, që sipas mediave katalanase shpresohet të jetë më pak i dhunshëm, krahasuar me atë që ka ndodhur në sezonin 2010-2011, kur katër përplasje të tilla u luajtën në tri javë.

“El Clasico” e dytë e La Liga-s për këtë sezon është planifikuar për më 2 mars, në “Santiago Bernabeu”, ndërsa gjysmëfinalja e parë e Kupës së Mbretit do të luhet në “Camp Nou”, të mërkurën e ardhshme, më 6 shkurt. Kthimi do të zhvillohet më 27 shkurt, në kryeqytetin spanjoll. 

Në precedentin e shtatë viteve më parë, midis 16 prillit dhe 3 majit 2011, blaugranët dhe merenguesit u përplasën në katër “El Clasico”, në të cilat pati edhe shkëndija.

Klima e Luftës
 Duelet e atij edicioni u shënjuan nga tensioni i krijuar prej ish-trajnerit të Real Madridit, Jose Mourinho. Portugezi e ktheu rivalitetin kundër Barçës në një luftë, pothuajse fjalë për fjalë.

“Mou” jepte mesazhe të vazhdueshme luftarake, duke u përpjekur ta ndizte atmosferën para klasikeve me katalanasit. Kjo qasje e irritoi pa masë edhe Pep Guardiolën, që në dhomën e konferencave për shtyp të “Bernabeut” e shpalli portugezin “el puto amo” (trajner i ndyrë).

“El Clasico”-t e tensionuara provokuan edhe një përçarje brenda kombëtares spanjolle, e cila dominoi me fitimin e dy Kampionateve Europiane dhe një Kupe Bote. Kjo përçarje detyroi Iker Casillas dhe Xavi Hernandez, jo pa vështirësi, të ndërmjetësonin “aksin” Barcelona-Real Madrid në kombëtare për të rivendosur harmoninë. Mourinho kurrë nuk ia fali këtë portierit spanjoll, me të cilin i ka vijuar polemikat në distancë, pasi e përzuri nga Real Madridi.

Katër klasiket 2010-2011
Në kapitullin rreptësisht sportiv, klasiket e atij edicioni u paraprinë nga “manita” 5-0 e Barcelonës ndaj Real Madridit, në përplasjen e raundit të parë në “Camp Nou”. José Mourinho e mori këtë disfatë sportive si një fyerje personale dhe asgjë nuk ishte më e njëjtë.

Armiqësitë filluan më 16 prill, me sfidën Real Madrid-Barça të javës së 32-të të kampionatit. Kjo ishte një ndeshje shumë taktike, që përfundoi me barazimin 1-1 dhe e la titullin e LaLiga-s të “dekantuar” nga krahu kundërshtar. Katër ditë më vonë, më 20 prill, gjigantët e La Liga-s u takuan përsëri, këtë herë në finalen e Kupës së Mbretit, në “Mestalla”. Pas një ndeshjeje të vështirë, Cristiano Ronaldo i dha fitoren dhe trofeun ekipit të tij në kohën shtesë (0-1).

Pothuajse pa pushim, më 27 prill, në “Bernabeu” u luajt ndeshja e pare gjysmëfinale e Ligës së Kampionëve. Ishte pragsfida, kur Guardiola e kurorëzoi Mourinhon si “trajner të ndyrë” dhe katalanasit nënshkruan një fitore kualifikuese (0-2). Pepe përfundoi me karton të kuq, pas një goditjeje ndaj Dani Alves.

Më 3 maj, cikli i kalsikeve të atij edicioni u mbyll në Katalonjë. Barazimi 1-1 në gjysmëfinalen e kthimit të Champions-it i dha kualifikimin Barçës për në finalen e “Wembley”, në të cilën mposhti Manchester United dhe shtoi trofeun e saj të katërt në këtë kompeticion. 

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...