KB Rahoveci beson se palestra do të jetë gati për FINAL 8

Futboll

KB Rahoveci beson se palestra do të jetë gati për FINAL 8

Më: 3 shkurt 2019 Në ora: 13:35
Palestra e Rahovecit

Klubi i basketbollit Rahoveci është duke punuar vazhdimisht në palestrën e tyre në mënyrë që ajo të jetë e gatshme për zhvillimin e Final 8.

Federata e Basketbollit të Kosovës (FBK) vendosi që këtë sezon të riformatojë garën e Kupës së Kosovës, duke e zgjeruar atë dhe duke e bërë me tetë ekipe në një turne që zgjat disa ditë.

Për të realizuar këtë ide, FBK mori edhe një vendim që organizimin e Final 8 të Kupës së Kosovës, t’ia besoi KB Rahovecit, klubit që ka befasuar të gjithë me paraqitjet në Superligën e basketbollit.

Kujtojmë që Final 8 do të mbahet nga data 27 shkurt, andaj kanë mbetur pak më shumë se tri javë kohë që palestra t’i plotësojë të gjitha kushtet.

Në klubin e basketbollit Rahoveci, mendojnë se salla do të jetë gati me 20 shkurt, dhe më pas barrën kryesore do ta ketë federata, e cila do të merret së bashku me klubin për çështjet organizative të Final 8.

Kryetari i klubit rahovecian, Bekim Hoxha u shpreh tejet bindës rreth përfundimit të punimeve në palestër, ashtu siç ata e kanë paraparë në marrëveshjen e nënshkruar me Federatën e Basketbollit të Kosovës.

Hoxha: Në Rahovec do të ketë spektakël

“Punimet janë duke shkuar ashtu siç janë paraparë, siç edhe kemi potencuar në konferencën për shtyp, kur edhe e prezentuam Final 8. Shpresojmë që të gjitha punimet që janë, siç po e shihni në përfundim e sipër. Parketi do të përfundojë brenda prej 5 ose 6 ditësh, vendosja e ulseve dhe shumë çështje tjera që janë elemente, të thjeshta sa i përket zhveshtoreve dhe shumë çështje tjera. Siç po e shihni të gjitha përgatitjet janë bërë,  ne jemi gati, sipas planit të paraparë deri me 20 shkurt, besoj që do të përfundojë e gjithë puna  lidhur me përfundimin e palestrës”, u shpreh Hoxha.

FBK ka parë nga afër punët të cilat janë duke u zhvilluar në palestër, ku sekretarja e FBK-së, Elvira Dushku u shpreh se është e befasuar me intensitetin e punëve të cilat janë duke u zhvilluar në palestër.

Dushku shtoi se palestra gjithsesi që do të jetë gati në datën e caktuar për Final 8.

Dushku: Salla do të jetë gati me 20 shkurt

“Kemi dashtur me pa prej dorës së parë, pra me ardh në teren, me pa dhe në një farë mënyrë me vazhdu me mbështetjen ndaj klubit të Rahovecit. Puna që është duke u bërë këtu është diçka mbresëlënëse, duke iu falënderuar klubit të Rahovecit dhe operatorit, i cili është duke punuar ashtu siç është zotuar. Ne po mendojmë që punën që janë duke u bërë dhe të cilat kanë për t’u bërë gjithçka ka me përfundu ashtu siç edhe kanë thënë zyrtarët e Rahovecit, me 20 shkurt, atëherë do të jetë edhe inspektimi final i FBK-së dhe më pas do të vazhdojmë me pjesën organizative” u shpreh Dushku.

Ndërtimi i Palestrës në Rahovec është projektuar dhe financuar nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, në vitin 2008. Ndërsa, janë ndërruar shumë ministra, e kjo palestër ende nuk është përfunduar.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat